Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për përfshirjen e Vangjush Dakos dhe familjarëve të tij në listën e zezë, duke mos lejuar hyrjen e tyre në SHBA. Basha nuk tregohet shumë entuziast në lidhje me këtë vendim pasi sipas tij, pavarësisht vendimit pozitiv të SHBA, Dako nuk ka dalë ende parë drejtësisë shqiptare duke e cilësuar një lajm të keq.
“ Është lajm i mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur non grata Vangjush Dakon për “përfshirje në raste të mëdha korrupsioni.” Është lajm i keq që Vangjush Dako nuk ka dalë akoma para drejtësisë për asnjë rast korrupsioni. Vangjush Dako nuk është vetëm një politikan i korruptuar. Ai është pjesë e krimit te organizuar, në bashkëpunim me të cilin vodhi zgjedhjet për llogari të pushtetit të Edi Ramës. Si shpërblim, Vangjush Dako i dorëzoi krimit të organizuar kontrollin ekonomik dhe politik të Bashkisë së Durrësit.” – tha Basha
Sipas Bashës rasti i Dakos është një arsye e mjaftueshëm që Rama të largohet në mënyrë që të shkëputen lidhjen e politikës me krimin.”Prandaj, largimi i Edi Ramës është zgjidhja për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin, për të vënë qeverinë në interes të qytetarëve, jo të krimit dhe të oligarkëve me të cilët vjedh çdo ditë shqiptarët.” – shkruan Basha.
DASH reagoi publikisht ditën e martë duke thënë se Vangjush Dakos së bashku me familjen e tij i është ndaluar hyrja në SHBA për shkak të “përfshirjes në raste madhore korrupsioni.”