Damir Fazllic sulmon Bashën, quan Bregun kreun e ardhshëm të PD

POLITIKË


Biznesmeni boshnjak Damir Fazllic, i cili jeton në SHBA dhe gjatë kohës së qeverisë Berisha, u bë i famshëm në Shqipëri për lidhjet e tij me ish kryeministrin, vijon të ndjekë me interes zhvillimet në vendin tonë e sidomos ato brenda të djathtës shqiptare. Fazllic, i cili krijoi një furtunë politike në Shqipëri në vitin 2013, kur u zbulua se Argita Berisha, vajza e ish kryeministrit kishte kryer veprimet juridike për blerjen e një toke në Porto Romano, përmes llogarisë në Twitter ka sulmuar Bashën me thirrjen “Basha ik” dhe ka quajtur Majlinda Bregun kryetare e ardhshme e Partisë Demokratike.

“Bregu, liderja e re e PD në Shqipëri”, shkruan Fazllic, duke ripublikuar një postim të Majlinda Bregut në Twitter gjatë mbledhjes së PPE, ku ishte i ftuar edhe Basha. Bregu, që mban postin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, shkoi në grupimin e partive të djathta e ftuar me cilësinë e drejtueses së RCC, por dhe si anëtare e Partisë Demokratike. Ndonëse që prej vitit 2017, Majlinda Bregu është lënë jashtë forumeve drejtuese të Partisë Demokratike, PPE e ka ftuar si anëtare të kësaj partie.

Fazllic ka përfituar pikërisht nga ky takim, ku të pranishëm ishin Basha dhe Bregu për të sulmuar kreun aktual të PD. Biznesmeni boshnjak e ka sulmuar edhe më here kreun e opozitës. Në mars të 2018-s, duke komentuar investigimin e revistës amerikane “Mother Jones” për aferën lobimit të PD-së në Uashington, ai e cilësonte Bashën si personi që varrosi Partinë Demokratike. “Pasi varrosi Partinë Demokratike, partinë që rrëzoi komunizmin në Shqipëri, ‘Forrest Gump-i’ i politikës Lulzim Basha meriton medaljen e artë. Tani ai është zyrtarisht politikani më budalla në Ballkan”, shkruante Fazllic në Twitter, ndërkohë që tashmë ai i është rikthyer sulmeve ndaj tij, duke dhënë edhe një mesazh për demorkatët që përjashtuan Bregun nga PD.



Skip to toolbar