Kryeministri Edi Rama në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, foli për fushatën, garën elektorale si edhe zgjedhjet e 11 majit. Rama nënvizoi se qëllimi i PS ka qenë që të ketë të rinj në të gjithë skuadrën.
Gjithashtu kryeministri u ndal edhe tek opozita, duke thënë se opozita, ose “këneta” siç e quan ai ka “mbytur” protagonistët.
“Qëllimi ka qenë që partia të ketë një sasi të konsiderueshme gjaku të ri në të gjithë skuadrën. Dhe kemi partinë më të re në fushë, përfshirë edhe partitë e ashtëquajtur të reja. Në total mos gabohem gratë dhe vajzat janë 71 në të gjithë skuadrën. Në Fier kemi një skuadër që përfaqëson të gjitha territoret dhe të gjitha komunitetet. Ndërsa këneta ka zhvlefsime absurde. Këneta ka mbytur edhe protagonistët e primareve që faktikisht ishin një shprehje e drejtpërdrejtë e territoreve dhe komuniteteve. Rasti më flagrant i Kavajës që u asimilua nga këneta. E njëjta gjë me Dash Sulën në Elbasan që fitoi primaret dhe u asimilua pa iu dhënë mundësia të hynte në asnjë listë. Këneta ka pasur një qasje shumë absurde në raport me 11 majit, por ka bërë listën për 12 majin…Ne kemi bërë primare njëherë në 2007 për të zgjedhur kandidatë për bashki dhe komuna dhe kuptuam që është eksperiencë e papërshtatshme dhe shumë e padobishme. Sepse mund të jetë shumë e dëmshme edhe për partinë. Demokracia e brendshme nuk përcaktohet nga primaret, ka mekanizmat e vet”, tha ai.