Kryeministri i vendit dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i ftuar në emisionin “Real Story” përballë gazetarit Sokol Balla shpjegoi kuptimin dhe kontekstin mbi të cilin e përdori termin “çyrykë”.
Ai theksoi se në platformën ‘Deputeti që duam” janë përzgjedhur disa kandidatura, por nuk mund të zgjidheshin aq shumë emra pasi ka patur rreth 500 aplikime.
“Primaret vijnë nga tradita amerikane dhe janë jashtë territorit dhe kulturës tonë. Deputeti që duam: Ne kishim 500 kandidatë që u seleksionuan, u shpërndanë nëpër territor, morën detyrat e tyre, treguan veten e tyre dhe nuk mund të akomodojmë 500 njerëz. Numri i tyre është i konsiderueshëm në raport me çfarë ka qenë herë e kaluar. Burrave iu kam lënë, çyrykëve jo.
Ishte krejt e shënjestruar, flasim për politikë dhe flasim për gjysmakë politikë dhe nuk flasim për persona konkretë që targetohen si të tillë. E kanë kuptuar njerëzit këtë gjë. Nuk ka pasur asnjë keqkuptim.
Unë e thashë shumë qartë, se ne kemi shumicën e grave që mbështesin PS, që janë 56% e grave në të gjithë territorin dhe thashë tek burrat, më shumë se gjysmat na mbështesin, por jam më pak se gratë, se gjysma tjetër janë çyrykë. Patjetër, nga pikëpamja politike, Jo se nuk janë me ne, jo se nuk na votonin ne, sepse kjo do ishte e tmerrshme sikur edhe ta mendoja këtë, por janë çyrykë, sepse hidhen në kënetë”, tha ai.
Ai komentoi edhe partitë e reja, që sipas Ramës kanë mendësi të vjetër.
“Ata janë të rinj në moshë, por të vjetër në mendësi, por këneta është tjetër histori kënata është tmerr”, tha ai.