Defekt në Bovillë, kufizime uji në disa zona të Tiranës

AKTUALITET


Një defekt në linjën e transmetimit në Bovillë ka shkaktuar kufizime të furnizimit me ujë në disa zona të Tiranës. Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka njoftuar qytetarët se mbrëmjen e së enjtes, 19 shtator 2019, në linjën e transmetimit që shkon nga ujëmbledhësi i Bovillës deri në Impiantin e Bovillës ka ndodhur një defekt i rëndë, ku ka pasur dëmtim të tubit kryesor.

“Grupet tona dhe inxhinierët tanë kanë marrë masat e nevojshme dhe po punojnë intensivisht për të riparuar në kohë sa më të shkurtër defektin e ndodhur, edhe pse kushtet atmosferike të orëve të fundit nuk kanë qenë në favor të tyre”, deklaroi UKT.


Pavarësisht eliminimit të defektit, Ujësjellës Kanalizime Tiranë njofton qytetarët se kufizimet e furnizimit me ujë do të vijojnë edhe gjatë ditës së premte në zonat që preken nga ky defekt, pasi procesi i trajtimit të ujit dhe i shpërndarjes në rrjet kërkon një kohë të caktuar.

Kufizime të furnizimit me ujë do të ndihen në pjesën më të madhe të Tiranës si dhe në zonat e Yzberishtit dhe Astirit, të cilat tashmë furnizohen me ujë direkt nga Bovilla.




Skip to toolbar