Deklaratat e Yuri Kim për reformën në drejtësi, Rama: Tentativë për ta ndryshuar, do të cojmë deri në fund në akordim me partnerët

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, duke folur për deklaratën e sotme të ambasadores së SHBA se “mund të ketë sabotim të reformës në drejtësi”, tha se ka një tentativë për të ndryshuar reformën në drejtësi.


Rama u shpreh se presidenti Meta ka kërkuar të ndryshohet reforma, kurse shton se kjo reformë do të dërgohet deri në fund në akordim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë.

“Ndërkombëtarëve iu është kërkuar ndryshimi i Reformës në drejtësi nga presidenti Meta. Nuk ka nevojë të di më shumë për këtë. Por gjithë kjo përpjekje për të ndërtuar qarkun e dytë ka synuar të njëjtën gjë që kemi parë edhe më 2017, me 2019, krijimin e një carje të madhe nga pikëpamja e procesit politik, vënia në diskutimin të reformës zgjedhore dhe kthimin pas të reformës në drejtësi.

Të gjitha janë të lidhura bashkë. Pa diskutim. Parlamenti nuk urdhërohet nga Lulzim Basha, sepse Basha është thjesht qytetar në raport me parlamentin. Nuk ka tagër t’i thotë parlamentit bëj këtë e atë, sepse parlamenti është sovran e ligjitim. Ata atje i ka sjellë Lulzim Basha. Parlamenti do marrë cdo vendim edhe për reformën në drejtësi, në koordinim me SHBA. Tundimi kundër reformës në drejtësi duke bërë cmos i kemi parë, por janë të gjitha gjëra që nuk do japin rezultat”, tha Rama.