I dënuar në Itali? Prokuroria verifikon Valdrin Pjetrin

AKTUALITET


Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimet për Kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri. Denoncimi i bërë nga PD për këtë rast po ndiqet nga prokurorët dhe specialistët, të cilët pritet të dalin me një vendim pas verifikimeve të plota për çështjen.

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimet për Valdrin Pjetrin në lidhje me akuzat e PD për ndalimin e tij nga policia italiane në vitet 2001-2002. Sipas Prokurorisë, materiali kallëzues i është përcjellë për kompetencë sektorit të Dekriminalizimit.


Pak ditë më herët, Partia Demokratike përmes një letre publike drejtuar prokurorisë, deklaroi se në vitet 2001-2002, Valdrin Pjetri, ka qenë i ndaluar në Itali gjatë kohës që ka jetuar në Firence dhe më pas ndaj tij është marrë masa e dëbimit, por Valdrin Pjetri, i cili nuk ka deklaruar asnjë fakt të tillë në formularin e vetëdeklarimit, është shprehur të dielën për mediat se është i hapur për çdo verifikim nga prokuroria, por është rezervuar të shprehet nëse ka qenë i dëbuar ose i dënuar nga Italia, para se të jepet vendimi i prokurorisë për verifikimin e rastit.

Në ligjin për dekriminalizimin deklarohet se rastet e dëbimit nuk përmenden vetëm kur subjekti është dëbuar ekskluzivisht për shkeljen e rregullave të emigracionit që kanë të bëjnë me rregullat e qëndrimit apo hyrje-daljes në një territor të një shteti të huaj.




Skip to toolbar