Voltana nuk lëshon bashkinë, ambasadori i OSBE i shkon në zyrë

AKTUALITET


Ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt ka zhvilluar një takim me kryebashkiaken në ikje të Shkodrës Voltana Ademi. Takimi mes tyre ka zgjatur dy orë dhe një nga çështjet kryesore që është diskutuar ka qenë pikërisht lirimi i zyrës nga ana e Ademit.

Në një kohë kur Bashkitë e tjera të vendit po konstituohen, Ademi ka bërë rezistencë të hapur, duke thënë se nuk do ta lirojë zyrën, madje ajo ka kërkuar një komision ndërkombëtar si në vitin 1913 për të drejtuar Shkodrën.


Në përfundim të takimit, Borchardt ka bërë një prononcim të shkurtër për mediat, duke thënë se është diskutuar për zgjedhjet e 30 qershorit dhe situatën politike në vend.

Ndërsa Ademi, ka publikuar foto nga takimi me ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë z. Bernd Borchardt dhe ka bërë publike temat e diskutuara pa prekur çështjen e lirimit të zyrës.

“Gjatë takimit që zgjati rreth 2 orë, janë diskutuar tema të aktualitetit politik në vend, problematikat e gjetjet e raportit paraprak te OSBE/ODIHR për procesin e 30 qershorit, kerkesa e paraqitur ne Gjykatë Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë si dhe për situatën që ka pasuar votimin e 30 qershorit.

Në kuadër të projektit të bashkëpunimit, Prezenca e OSBE-së në Tiranë, ka përzgjedhur Bashkinë e Shkodrës ndër 61 bashkitë në vend për për një projekt të ri për mbështetjen e qëndrueshmërisë të administratës publike, Kryebashkiakja Ademi shprehu gatishmërinë personale dhe të administratës së Bashkisë se Shkodres për të qenë pjesë e këtij projekti me një rëndësi të veçantë, jo vetëm për administratën por edhe zhvillimin e qytetit të Shkodrës”, shkruan Ademi në facebook.

Kryebashkiakia e Shkodrës, Voltana Ademi si para zgjedhjeve të 30 qershorit ashtu edhe pas tyre tregoi se ishte demokratja më e zjarrtë në krah të Bashës që përdori çdo mjet, përfshi këtu dhe molotovin vetëm e vetëm që të pengonte zhvillimin e zgjedhjeve. Ndërsa pas 30 qershorit ajo ndërmori disa hapa, si depozitimi i kërkesë padisë në gjykatë për mos njohjen e zgjedhjeve dhe deri te kërkesa drejtuar ambasadorëve ndërkombëtarë që të ngrenë një komision ndërkombëtar për drejtimin e Shkodrës të ngjashëm me atë të vitit 1913. Kërkesë kjo që u cilësua si qesharake dhe e pavend në situatën aktuale të Shqipërisë dhe nuk u mor seriozisht nga ambasadorët e huaj.

Pavarësisht të gjithave gjykata njohu zgjedhjet në Shkodër dhe ia dha mandatin Valdrin Pjetrit, kandidatit socialist që fitoi në 30 qershor dhe Voltanës tani i duhet të lirojë zyrën.




Skip to toolbar