Lerda largon presionin: Tirana, vlen tre pikë

SPORT


Të dielën në mbrëmje luhet derbi i parë Tirana-Partizani për këtë sezon. Një ditë para sfidës, trajneri i të kuqve, Franko Lerda, foli në konferencë për shtyp. Italiani shpreson që ndaj bardhebluve në derbi, shpreson të ruhet tradita, 5 vite pa humbje. “Shpresojmë që këto statistika të jenë në favorin tonë, që të vazhdojmë këtë traditë. Të mbetemi të pathyeshëm në takimet përballë Tiranës. Jemi përgatitur mjaft mirë dhe shpresojmë të ruajmë këtë traditë”, shprehet Lerda, ndërsa shton se e ka përgatitur skuadrën për fitore ndaj Tiranës: “Këtë pyetje e dëgjoj prej fillimit të sezonit. Unë e përgatis ndeshjen për të fituar, pastaj ka shumë gjëra që ndikojnë, sepse futbolli përbehet nga episodet. Por, unë dua të fitoj, skuadra futet për të fituar”, shprehet trajneri i Partizanit.

Tekniku italian ndihet  i qetë përpara sfidës, ndërsa tregon se tre pikët në derbi, do ta motivonin më shumë skuadrën. “Pse të ndihem në rrezik. Jemi të qetë dhe të përqendruar në atë çfarë duhet të bëjmë. Brenda në klub dhe lojtarët janë të qetë. Pastaj se çfarë ndodh mbrapa, nuk e di. E konsideroj një ndeshje të rëndësishme sepse për ne vlen tre pikë. Por, për ambientin vlen më shumë. Të fitosh derbin do të na jepte në shtysë të madhe emotive, e rëndësishme edhe përsa i përket klasifikimit. Edhe pse ne jemi aty, vetëm tre pikë larg. Nga aspekti psikologjik do të ishte shumë e rëndësishme”, tha Franko Lerda.


Partizani nuk e nisi mirë sezonin, por Lerda thotë se skuadra është duke u përmirësuar. Sipas tij, në sfidën ndaj Tiranës disa lojtarë rrezikojnë të mos luajnë për shkak të dëmtimit. “Po kërkojmë të perfeksionojmë mekanizmat tona, të përmirësojmë çdo repart. Nuk e di të shohim, kam probleme me disa lojtarë dhe mbetet për t’u vlerësuar. Dje janë stërvitur veçmas, sot do të bëjnë një test dhe më pas mbetet për t’u parë nëse do të jenë për ndeshje apo jo”.

Në fund nuk mungoi as vlerësimi për kundërshtrin. Franko Lerda shprehet se Tirana është skuadër e mirë, me cilësi, dhe sipas tij, nuk meritonte të humbiste në ndeshjen e fundit. “Është një skuadër e mirë. E kam parë në ndeshjen e fundit me Kukësin dhe nuk e meritonte të humbiste. Është një skuadër që ka cilësi dhe dora e trajnerit duket në skuadër. Por, është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe do të bëjmë gjithçka për të dalë me sukses”, është shprehur ndër të tjera trajneri i Partizanit. Derbi Tirana-Partizani do të luhet të dielën në orën 19:00 të mbrëmjes në stadiumin “Selman Stërmasi”. Më herët, gjatë të shtunës, klubi bardheblu lajmëroi në rrjetet sociale se interesi nga tifozët për këtë ndeshje ishte i lartë, duke bërë që të gjitha biletat të shkojnë drejt fundit. Tirana vjen e “uritur”, pasi prej pesë vjetësh nuk fiton një ndeshje derbi ndaj Partizanit.




Skip to toolbar