Dëshmorët e LANÇ, Butka: Vlerësim i njëanshëm

#NËRADAR


Prej disa ditësh në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur dëshmorë të Luftës Nacional Çlirimtare. Mirëpo, disa nga emrat dhe fotot e vendosur në bulevard, kanë ngjallur debat publik. Historiani Uran Butka u shpreh në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se është gabuar për mënyrën se si janë përzgjedhur emrat e vendosur në bulevard. Sipas tij, nëse do të bazohej mbi dokumente historike, debati aktual nuk do të ndodhte.

“Nëse ky akt do bëhej mbi dokumente historike, natyrisht nuk do ishte ky reagim i historianëve, politikanëve dhe popullsisë. Unë kam marrë shumë telefonata për njerëz që nuk janë paraqitur. Është lënduar dhe një pjesë e popullsisë që nuk duhet të ndodhte”, tha historiani. Më tej ai shtoi se ky është vlerësim i njëanshëm.


Uran Butka u shpreh se ky veprim është politik dhe ideologjik, antihistorik. “Unë do ta konsideroj këtë një vlerësim krejt të njënanshëm. Është një akt politik dhe ideologjik. Është antihistorik. Është një akt përçarës sepse nuk e nderon luftën anti-fashiste. Në këtë 75 vjetor, në vend të luante rol bashkues, janë përjashtuar figura të shquara nga nacionalizmit”, tha Uran Butak.

Sipas Uran Butkës, Lufta Nacional Çlirimtare u monopolizua nga komunistët. “Lufta çlirimtare nuk është vetëm e komunistëve, është e të gjithë faktorëve, kush më shumë e kush më pak. Enver Hoxha dhe jugosllavët e paraqitën luftën si vetëm të tyre. E monopolizuan luftën dhe më pas pushtetin. Para Mukjes, lufta ishte e përbashkët. Brenda luftës antifashiste u zhvillua një luftë civile. U shtua pesha në një luftë vëllavrasëse. Është një luftë civile që pati shumë viktima. Ku të çoi kjo luftë, të çoi te regjimi komunist”, tha Butka. /Realstory.al/




Skip to toolbar