Pasditen e të shtunës në futbollin shqiptar u rikthyen aktet e dhunës. Në ndeshjen e Kategorisë së Parë, mes Shkumbinit dhe Dinamos u dhunua barbarisht arbitri i ndeshjes Sokol Bebja. Menjëherë pas këtyre akteve reagoi dhe Federata Shqiptare e Futbollit. Në një deklaratë për mediat, FSHF duke shprehur dënimin e akteve të dhunës ndaj arbitrit, kërkon Policisë së Shtetit të arrestojë agresorët.
“Federata e Futbollit dënon me ashpërsi aktin vandal të dhunimit të arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo në qytetin e Peqinit. FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar agresorët në fjalë dhe kërkon nxjerrjen e tyre të menjëhershme para ligjit, bazuar në nenin 274/A të Kodit Penal”.
“FSHF garanton se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje në të gjitha instancat e drejtësisë. FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e autoriteteve sportive dhe ndërhyrjet e huliganëve në dëm të cilitdo në ambjentet sportive”, thuhet në reagimin e FSHF. Aktet e dhunës janë një problem serioz në futbollin në vend, për të cilat u ndërhy në Kodin Penal, duke i kategorizuar si vepra që dënohen deri në 3 vjet burg.
Ndërkohë, për rastin në fjalë reagoi dhe shoqata e arbitrave. “Shoqata e Arbitrave shpreh sot shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me dhunën e ushtruar ndaj arbitrit Sokol Bebja, gjatë ndeshjes Shkumbini-Dinamo në Peqin. Shoqata e konsideron të turpshme dhe të papranueshme hyrjen e agresorëve në fushën e blertë ku duhet të luhet vetëm futboll dhe dhunimin e paprecedentë të një arbitri”.
“Shoqata shpreh indinjatën e thellë për këtë ngjarje të rëndë e të dënueshme me ligj. Gjithashtu, Shoqata e Arbitrave kërkon nga policia e shtetit arrestimin urgjent të dhunuesve dhe nxjerrjen para gjykatës si dhe marrjen e masave për garantimin e punës dhe sigurisë së arbitrave. Shoqata e Arbitrave solidarizohet me arbitrin Sokol Bebja dhe i uron shërim të shpejtë”, thuhet në deklaratë.