Video/ Dy vjet pasi rrahën arbitrin, në Këlcyrë rrahin lojtarin e Maliqit

AKTUALITET


E diela riktheu dhunën në futboll. Një futbollist i skuadrës së Maliqit, mbeti i plagosur në sfidën kundër Këlcyrës, në takimin e vlefshëm për Kategorinë e Dytë. I dëmtuar ka mbetur futnollisti Arlind Xaka, i cili dyshohet se është gjutjur nga një futbollist kundërshtar, emri i të cilit raportohet të jetë Aristidhis Coli.  Futbollisti i ekipit juglindor është dërguar fillimisht në spitalin e Gjirokastrës dhe më pas është nisur drejt Tiranës, pasi ka marrë dëmtime të rënda në nofull. Ngjarja është publikuar nga trajneri i skuadrës së Maliqit, Egli Malësia, i cili është shprehur për media të ndryshme se lojtarët e Këlcyrës kishin tentuar të qëllonin dhe atë vetë. Një gjë e tillë është përgënjeshtruar nga skuadra e Këlcyrës, që bëri një deklaratë publike ku pretendon se inxidenti me futbollistin Xaka ndodhi pas një dyluftimi në lojë.

“Për dëmtimin e futbollistit mik Xaka, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmën e shpejt, përplasja ka qenë në një dyluftim për topin”, thuhet në deklaratën e klubit të Këlcyrës. Ndërkohë, duket se deklarata përgënjeshtrohet nga videot e publikuara, ku shihen momentet e tensionit mes lojtarëve të të dyja skuadrave, pas daljes nga fusha e lojës e një prej lojtarëve të skuadrës vendase. Në video, pamjet e të cilës shpesh janë të paqarta për shkak të reshjeve të shiut, gjithësesi dallohet tensioni mes lojtarëve dhe ndërhyrja e arbitrit që tenton të qetësojë situatën. Ndërkohë, këto video, sipas klubit të Klëcyrës janë shpërndarë nga drejtues të skuadrës së Maliqit, me qëllim për të justifikuar dështimin e klubit të tyre.


Megjithatë, trajneri i skuadrës së Maliqit, Egli Malësia i ka cilësuar si momente tmerri ngjarjet e ditës së diel në fushën e futbollit të Këlcyrës. “Kemi përjetuar tmerr në fushën e Këlcyrës, gjë të cilën nuk e kemi hasur në asnjë fushë tjetër. Jeta e lojtareve ishte ne rrezik. Falënderojmë zotin që dolëm gjallë nga fusha e Këlcyrës, në kushte të tilla dhune fizike, psikologjike vetëm për futbollin nuk behet fjalë me. Me lojtare te gjakosur, me lojtarë në rrezik për jetën më thoni ju a mund të luhet futboll? Sot në ndeshje me Këlcyrën një prej futbollisteve i është rrezikuar jeta. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë”, u shpreh trajneri i Maliqit, për News 24. Për ngjarjen ende nuk ka reagim zyrtar nga Policia e Shtetit.

Precedenti

Në fakt, nuk është hera e parë që në Këlcyrë ndodhin të tilla akte dhune në fushën e futbollit. Vetëm dy vjet më parë, në derbin Këlcyra-Përmeti, futbollistët vendas sulmuan arbitrin Alvi Paço, pas pretendimit për një penallti. Pamjet ishin të rënda, ku dukeshin lojtarët që sulmonin me grushte e shkelma arbitrin, që përfundoi në spital. Ndërkohë, për atë ngjarje, një nga lojtarët u shoqërua në komisariat, ndërsa klubi i Këlcyrës u përjashtua nga kampionati për pjesën e mbetur të sezonit. Gjithashtu ndaj disa lojtarëve të këtij klubi u aplikuan masa të ashpra ndëshkimore deri në përjashtim përjetë nga futbolli. Ndërkohë, gjatë ditës së diel janë shënuar dhe incidente të tjera të rënda në ekipet e Kategorisë së Dytë. /Realstory.al/




Skip to toolbar