Trafikonin klandestinët sirianë drejt BE, dy të arrestuar, një në kërkim

AKTUALITET


Policia e Shtetit ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur një tjetër në kërkim pasi akuzohen se kanë ndihmuar refugjatët sirianë për t’i dërguar në vende të Bashkimit Europian. Në pranga kanë përfunduar shtetasit E. M., 26 vjeç dhe E. H., 33 vjeç, të dy banues në Zemblak të Korçës. Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit K. H., 39 vjeç. Arrestimi i tyre u bë gjatë operacionit të koduar  “Itinerari”, ndërsa janë sekuestruar 2 automjete dhe 12 aparate celularë.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se me mjetet e tyre private, kundrejt shpërblimit monetar kanë marrë 8 shtetas (emigrantë klandestinë) të kombësisë siriane në qytetin e Bilishtit, në afërsi të kufirit të gjelbër me Greqinë, për t’i sjellë në Tiranë, të cilët më pas do merreshin nga persona të tjerë me qëllim dërgimin e tyre në kufirin e gjelbër me Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian. Po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.


Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim”.




Skip to toolbar