Do hetojë prokurorë e gjyqtarë, KED publikon renditjen e kandidatëve për ILD

#NËRADAR


Këshilli i Emërimeve në Drejtësi zhvilloi të hënën mbledhjen e radhës, duke miratuar përfundimisht renditjen e 5 kandidatëve që synojnë të marrin postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.  Sipas renditjes përfundimtare, Artur Metani me 89.6 pikë është renditur i pari. Në vendin e dytë është renditur Sokol Stojani me 89 pikë, në vendin e tretë Joana Asimi Sorraj me 82.2 pikë, në vendin e katërt Eris Hysi me 78.3 pikë dhe në vendin e pestë Lindita Troja me 63.4 pikë.

“Lista do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, brenda tre ditëve, sipas parashikimeve të nenit 200 shkronja “ë” të ligjit nr. 115/2016. Dy vendimet e arsyetuara, raporti dhe aktet e tjera të pikëzimit të kandidatëve do të publikohen nesër ne faqen zyrtare te Gjykatës së Lartë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e KED. Kuvendi, gjatë rinisjes së punimeve në fillim të vitit 2020 do të vendosë se cili nga pesë emrat e dërguar nga KED do të zgjidhet Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Po çfarë është ky institucion?

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, i krijuar nga reforma në drejtësi, është përgjegjës për verifikimin e ankesave, nisjen e hetimeve për shkeljet dhe fillimin e procedimit disiplinor për gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, deri tek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë etj.

Për të zgjedhur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë duhet tre të pestat e votave në Kuvend. Mandati i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është 9-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Edhe për rastin e zgjedhjes së kreut të ILD, Kushtetuta ka parashikuar mekanizëm zhbllokues. Nëse një nga pesë anëtarët nuk votohet brenda 30 ditëve në Kuvend, kandidati i renditur me më shumë pikë në listë merr detyrën automatikisht. /Realstory.al/



Skip to toolbar