Do hetojë prokurorë e gjyqtarë, KED publikon renditjen e kandidatëve për ILD

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi zhvilloi të hënën mbledhjen e radhës, duke miratuar përfundimisht renditjen e 5 kandidatëve që synojnë të marrin postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.  Sipas renditjes përfundimtare, Artur Metani me 89.6 pikë është renditur i pari. Në vendin e dytë është renditur Sokol Stojani me 89 pikë, në vendin e tretë Joana Asimi Sorraj me 82.2 pikë, në vendin e katërt Eris Hysi me 78.3 pikë dhe në vendin e pestë Lindita Troja me 63.4 pikë.


“Lista do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, brenda tre ditëve, sipas parashikimeve të nenit 200 shkronja “ë” të ligjit nr. 115/2016. Dy vendimet e arsyetuara, raporti dhe aktet e tjera të pikëzimit të kandidatëve do të publikohen nesër ne faqen zyrtare te Gjykatës së Lartë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e KED. Kuvendi, gjatë rinisjes së punimeve në fillim të vitit 2020 do të vendosë se cili nga pesë emrat e dërguar nga KED do të zgjidhet Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Po çfarë është ky institucion?

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, i krijuar nga reforma në drejtësi, është përgjegjës për verifikimin e ankesave, nisjen e hetimeve për shkeljet dhe fillimin e procedimit disiplinor për gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, deri tek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë etj.

Për të zgjedhur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë duhet tre të pestat e votave në Kuvend. Mandati i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është 9-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Edhe për rastin e zgjedhjes së kreut të ILD, Kushtetuta ka parashikuar mekanizëm zhbllokues. Nëse një nga pesë anëtarët nuk votohet brenda 30 ditëve në Kuvend, kandidati i renditur me më shumë pikë në listë merr detyrën automatikisht. /Realstory.al/


Gjykata e Lartë drejt krijimit, në garë 21 kandidatë

Gjykata e Lartë prej kohësh është në ngërç duke funksionuar vetëm me dy anëtarë, pasi të tjerët nuk arritën dot të kalonin procesin e vettingut ose dhanë dorëheqjen duke u larguar përfundimisht nga drejtësia. Ngritja e saj është jetike për drejtësinë dhe kjo është theksuar disa herë edhe nga ndërkombëtarët, që ky institucion të nis punën e tij sa më parë. Më herët edhe Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami tha se kjo gjykatë do të jetë funksionale në shtator, ndërsa hapi edhe garën për përcaktimin e anëtarëve jo-gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. Kriteri kryesor ishte që kandidatët të mos ketë mbajtur poste politike në 10 vitet e fundit dhe duhet të jenë juristë me së paku 15 vjet eksperiencë.


Gara e hapur më 9 korrik për të plotësuar vendet vakante u mbyll më 24 korrik dhe në të aplikuan plot 21 kandidatë, nga ku do të zgjidhen 4 prej tyre dhe më pas do t’i çohen presidentit Meta për dekretim.

Lista e plotë e kandidatëve u bë publike nga Report TV që numëron 21 kandidatë jo-gjyqtarë që mund të jenë të jenë juristë, prokurorë, ish prokurorë. Në garë për anëtarë jo–gjyqtarë të Gjykatës së Lartë janë:

Sergjio Mazreku

Ndue Pjetra

Ergys Misha

Jetmira Rragami

Aldona Sulaj

Jordan Daci

Lindita Troja

Alma Loci

Hermina Albunesa

Rezarta Melo

Agron Lamaj

Ervin Pupe

Theodhor Sollaku

Irena Nino

Vjosa Bodo

Shaqir Hasanaj

Kestrin Kato

Sokol Sadushaj

Ilir Panda

Ardita Buna

Anton Lleshaj

Nga këto kandidatë do të zgjidhen vetëm 4 emra ose 1/5 e trupës prej 19 anëtarësh të Gjykatës së Lartë. Aktualisht, Gjykata e Lartë ka mbetur me vetëm dy anëtarë Xhezair Zaganjorin që ende nuk ka vendosur Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Ardian Dvoranin, që kaloi vettingun.


Kushtetuesja, në gusht çohen emrat e parë në Kuvend dhe te Meta

Gjykata Kushtetuese, organi më i lartë i drejtësisë që garanton respektimin e Kushtetutës, aktualisht është jashtë çdo funksioni.  Puna për ngritjen dhe funksionimin e saj ka nisur dhe në fillim të gushtit emrat e kandidatëve të parë pritet t’i drejtohen Kuvendit dhe Presidentit për përzgjedhjen e 3 kandidaturave  secili. Lajmin e bëri të ditur kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani i cili tha se KED do të mblidhet të mërkurën për të marrë në shqyrtim kandidatët e parë dhe më pas t’i çohen Kuvendit dhe Presidentit. Në listë janë 14 kandidatë që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e trupës së Gjykatës Kushtetuese.


 “Në fillim të gushtit mund të dërgojmë renditjen përkatëse të kandidaturave tek Kuvendi dhe Presidenti  dhe për një muaj ato kanë të drejt të punojnë me procedurën e tyre. Edhe në rast se ato nuk arrijnë të gjejnë shumicën e nevojshme , ose vlerësojnë të mos shprehen me vendimmarrje përkatëse, ligji dhe kushtetuta parashikojnë mekanizmin që ky proces të mos bllokohet për të zgjedhur kandidatët dhe gjyqtarët e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese.” – tha Dvorani për mediat.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë dhe aktualisht ka vetëm një. Ajo është në pritje të plotësimit të vakancave të saj për nisjen nga puna. Për shkak të procesit të vettingut, anëtarët e kësaj gjykatë janë përjashtuar nga drejtësia ose kanë dhënë dorëheqjen duke shmangur procesin e rivlerësimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive në punë.

Kjo Gjykatë pritet të bëhet funksionale në fillim të shtatorit dhe se çështja e parë që pritet të diskutojë është shkarkimi i presidentit Meta, e miratuar në Kuvend me kërkesë të Partisë Socialiste . Një tjetër kërkesë e dërguar në Kushtetuese është edhe ajo e Shoqatës së Bashkive, e kryesuar nga Voltana Ademi për të shpallur procesin e 30 qershorit antikushtetues.


Gjykata Kushtetuese, mazhoranca propozon më 5 korrik emrat e parë

Më 5 korrik, mazhoranca do të propozojë emrat për Gjykatën Kushtetuese dhe do t’i paraqesë për t’i diskutuar në Kuvend. Ky lajm u dha nga gazetari Sokol Balla në emisionin e tij Real Story duke konfirmuar edhe atë që është thënë më herët se Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale brenda verës.


Gjykata Kushtetuese aktualisht është jo funksionale prej disa muajsh për shkak se disa prej anëtarëve u përfundoi mandati ndërsa të tjerë nuk kaluan dot procesin e vettingut. Qeveria kërkon që ta vërë atë sa më shpejt në funksion. Arsyeja: Shkelja e Kushtetutës nga presidenti Meta, ku mazhoranca miratoi edhe një rezolutë në Kuvend për shkeljet ligjore që Presidenti bëri me dekretin e tij të anulimit të zgjedhjeve më 30 qershor.  

Krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një lajm i keq vetëm për Ilir Metën. Çështjen e parë që kjo gjykatë do të shqyrtojë, pas krijimit të saj, është procesi i shkarkimit të Presidentit Meta, ku shumica duket mjaft e vendosur për të çuar deri në fund. Përveç mazhorancës, edhe ndërkombëtarët e kanë kërkuar me ngulm krijimin e kësaj Gjykate sa më shpejtë të jetë e mundur, si një domosdoshmëri për të ruajtur kushtetuan dhe zbatimin  ligjit, pa u cenuar nga askush.

Kjo çështje u diskutua edhe në emisionin Real Story me ish deputetin e PD-së, Enkelejd Alibeaj,  i cili e kundërshtoi se ky informacion do të ishte i vërtet. Alibeaj deklaroi se si koncept nuk ecën me procedurë dhe me ligj. “Sot që flasim për të arritur te dalja e kandidaturave sipas reformës në drejtësi, duhet të bëhet verifikimi dhe së pari për tu bërë verifikimi, duhet pritur që nga ana e vettingut ta kalojë. Hapi tjetër është pikëzimi që duhet ta bëjë këshilli në drejtësi, që duhet së paku një javë. Më pas këto kandidatura 3 nga kuvendi 3 nga presidenti duhet të shkojnë në Kuvendin e Ligjeve”.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë , ku tre anëtarë do të duhet të emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. /realstory.al


Kush janë kandidatët e Kushtetueses (dhe përse duket lajm i keq për Metën)

Po cilët janë kandidatët që janë vetofruar për të qënë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese? Emrat, aktiviteti, anshmëria politike janë të rëndësishme të vlerësohen, për shkak të vendimit të rëndësishëm që ata mund të vlerësojnë, sapo të ulen në karrigen prestigjioze të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese: ligjshmërinë e Shkarkimit të Presidentit Ilir Meta. Janë dy lista, njëra në derë të Presidentit dhe tjetra në tavolinën e Gramoz Ruçit. Ka prej tyre që kanë aplikuar në të dyja institucionet. Lista e kandidatëve që kanë aplikuar të presidenti, kryesohet nga Alban Brati, kunati i Ben Blushit, ish deputet dhe dikur ish rival i Ramës, ndërsa sot i angazhuar në biznes privat. Avni Shehu është një tjetër kandidat, gjykatës i vjetër i emëruar kryetar i Gjykatës së Lartë që në kohën e Berishës së Parë, në vitin e largët 1996. Shehu ka aplikuar edhe në Kuvend, ku gjasat që ai të fitojë, janë afër zeros, nëse nuk merr parasysh vetëm faktin se origjina e tij dibrane, mund të jetë një plus për vlerësimin e kandidaturës së tij, në Komisionin e Ligjeve, kryesuar nga Dibrani Ulsi Manja. Tek Presidenti ka aplikuar edhe Denar Biba, ish kryetar dhe tani nënkryetar i KQZ, personi që shpalli absolutisht të pavlefshëm dekretin e shfuqizimit të zgjedhjeve nga ana e Presidentit, po me siguri aplikimi ka qënë më i hershëm. Biba gjithsesi ka aplikuar per anëtar të gjykatës së Kushtetuese edhe pranë kuvendit, ku me siguri kandidatura e tij do të trajtohet me më shumë qetësi dhe dashuri nga partia që e propozoi në KQZ, sesa nga Ilir Meta. Në presidencë ka aplikuar edhe Ilir Panda, që në kohën e Ilir Metës si kryeministër, kryesonte KLD. Shpesh i anatemuar nga politika si i majtë, ai gjithsesi ja ka arritur të mbajë një profil të ulët dhe të mbijetojë në pozicione të rëndësishme në Gjyqësor 20 vitet e fundit. Panda rezulton edhe në listën e kandidatëve të Kuvendit. Juristi i njohur Kristaq Traja, që ka përfaqësuar Shqipërinë si Gjykatës edhe në Strasburg ka aplikuar në të dyja listat. Drejtues i një zyre të njohur avokatie, ai sot është kryetar i këshillit drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar. Ish prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku ka aplikuar në të dyja institucionet, por me gjasë me “cilësi” të ndryshme. Ndërsa tek Presidenti Ilir Meta ai shkon me CV e ish kreut të akuzës, që u zgjodh aty edhe me vullnet të Metës (i cili në 2002, bashkoi votat me Berishën per të shkarkuar Arben Rakipin dhe për të vënë në këtë pozicion pikërisht, Sollakun, ish këshilltarin juridik të Doktorit për 5 vjet në Presidencë), në Kuvend, Sollaku ka cilësinë e “viktimës”. Pasi ishte pikërisht Berisha që e shkarkoi me dy komisione hetimore rresht në vitin 2007 ish beniaminin e tij. Dhe Socialistët e bënë në 2013, anëtar të Asamblesë Kombëtare. “Bixhozi” i Sollakut me politikën mund të rezultojë i frytshëm, pasi ai i jep garanci të dyjave palëve, se së paku nuk do tu bëjë keq dhe do zgjedhë pasivitetin. Një gjë që e bëri mirë nga viti 2002 deri kur u shkarkua në 2007. Qetësi u thye vetëm nga ngjarje të rënda dhe të pazbuluara si vrasja e shoferit të tij në vitin 2005… Te Presidenti ka aplikuar edhe Rovena Gashi, ish prokurorja e shkarkuar nga Arta Marku me vendim gjykate e më pas edhe nga Vettingu. Zonja Gashi, një nga bashkëpunëtoret më të afërta të ish kryeprokurorit Llalla, nuk dihet pse figuron në listën e botuar nga shqiptarja.com, pasi ajo nuk mund të aplikojë më për nje pozicion në sistemin e drejtësisë. Në presidencë dhe Kuvend ka aplikuar edhe Sinan Tafaj, i Shoqatës së të verbërve. Jurist në profesion ai nuk ka ngurruar ta përdorë handikapin e tij, si avantazh diskriminues pozitiv, edhe më herët kur ka aplikuar (pa sukses) për anëtar të Gjykatës së Lartë. Në listën e Kuvendit shfaqet dhe emri i Shpresa Beçajt, ish kryetare e Gjykatës së Lartë, e shkarkuar Bujar Nishani, menjëherë pasi ai u bë kryetar i KLD-së në vitin 2012, me sa duket si e njohur për afëritë me Bamir Topin. Beçaj nuk ka aplikuar në Presidencë, megjithëse dikur, kur Meta ishte Ministër i jashtëm dhe vajza e saj u emërua në një ambasadë të rëndësishme, marrëdheniet e saj me presidentin ishin shumë të mira. Prishja e tyre ishte dhe mbetet një mister, por fakti që ajo s ‘e ka cuar emrin në Presidencë dhe armiqësia e saj personale me Metën, e bëjnë një kandidaturë të preferuar tek shumica e majtë në Kuvend. Tek lista e Kuvendit ka shumë emra që nuk janë kandiduar edhe në Presidencë, dhe mbiemrat e tyre lidhen me emra të njohur të Partisë Socialiste, çka të shtyn të besosh se të preferuarit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, nuk do t’i shpëtojnë analizës së mësipërme si dhe vlerësimit subjektiv politik. Dhe në dritën e zhvillimeve dhe procesit të shkarkimit të Presidentit, kjo listë, nuk duket një lajm i mirë për Ilir Metën. Së paku në letër. /realstory.al/

 


Kandidatët që kanë aplikuar te Presidenti i Republikës Alban Brati Avni Shehu Besnik Muçi Dedë Kasneci Denar Biba Gëzim Allaraj Ilir Mustafaj Ilir Panda Kristaq Traja Luan Dervishi Petrit Kaja Rexhep Bekteshi Theodhori Sollaku Vladimir Gërmenji Ardita Alsula Elsa Toska Regleta Panajoti Rovena Gashi Valbona Bala Zhaklina Peto Prel Martini Sinan Tafaj Ardita Buna Alsula Kandidatët që kanë aplikuar në Kuvend Anila Kristani Arta Vorpsi Besnik Muçi Çlirim Gjata Dashamir Kore Dedë Kasneci Denar Biba Elsa Toska Gëzim Allaraj Ilir Kadiu lir Panda Irena Nino Kazhanxhi Kristaq Traja Rexhep Bekteshi Sinan Tafaj Sokol Hasani Shpresa Beçaj Theodhori Sollaku Valbona Bala Ilir Panda Sinan Tafaj Theodhori Sallaku Vasil Bendo Elsa Toska Fiona Papajorgji Valbona Bala Avni Shehu Marsida Xhaferllari Theodhori Sollaku

Zgjedhjet e 30 qershorit, KQZ miraton fletën e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar gjatë mbledhjes së sotme përmbajtjen dhe rendin e kandidatëve në fletën e votimit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Në shumicën e bashkive në garë janë vetëm kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, ndërsa në disa prej tyre u shtohen edhe kandidatët e Bindjes Demokratike.


Sipas shortit të hedhur në KQZ, për Bashkinë e Tiranës vendin e parë do e mbajë kandidati i Bindjes Demokratike Arben Skënderi, ndërsa vendin e dytë kryebashkiaku aktual Erion Veliaj.

Ndërsa në Bashkinë Durrës, me moskandidimin e Vangjush Dakos, PS ka zgjedhur të përfaqësohet me Valbona Sako, e cila do të jetë me nr. 2, ndërsa Bindja Demokratike përfaqësohet nga Valbona Sakollari, e cila do të jetë e para në listën e votimit.

Në Bashkinë Korçë kandidati Bindjes Demokratike, Leonard Olli do të mbajë nr. 1 në fletën e votimit, ndërsa Sotiraq Filo i PS renditet i dyti.

Në Bashkinë e Vlorës, përfaqësuesi i PS, Dritan Leli renditet i pari ndërsa Valbona Mezini e Bindjes Demokratike renditet e dyta në fletët e votimit.

Për Bashkitë Lushnje, Fier, Shkodër dhe Elbasan, fleta e votimit u miratua pa short vetëm me kandidatët përkatës të Partisë Socialiste.


Bindjes Demokratike i largohet edhe një tjetër kandidat

Kandidatët e partisë më të re në vend, Bindja Demokratike janë duke u tërhequr nga gara një e nga një. Pas largimit të kandidatëve të Bashkisë Çorovodë, Bashkisë Lezhë dhe Bashkisë Kavajë është shtuar në listën e të larguarve edhe kandidati për Bashkinë e Kamzës.


Ylber Gjeta ka paraqitur kërkesën e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u tërhequr nga gara për kryetar në Bashkinë Kamëz.

Në deklaratën e tij drejtuar KQZ-së, Gjeta thotë se tërhiqet nga gara për arsye shëndetësore.


Basha komenton kandidatët e PS: Janë kriminelë

Basha ka folur edhe në lidhje me kandidatë që PS ka vendosur për zgjedhjet e 30 qershorit duke i cilësuar disa prej tyre si kriminel apo vrasës me pagesë. Sipas Bashës kjo tregon se Rama nuk ka ndërmend të heq dorë nga krimi duke rrezikuar rënien e demokracisë në vend.


“Kush ul kokën dhe nuk bëhet pjesë e kësaj beteje do të jetë shërbëtor dhe skllav i krimit. Skenari tjetër është që Shqipëria të bie si demokraci, dhe natyrisht ne këtë skenar nuk mund ta pranojmë dhe betejën do të ngremë çdo ditë e më shumë, për të mposhtur këtë grusht shteti dhe këtë juntë. Zgjedhje me 30 qershor nuk do të këtë. Ne si opozitë iu kemi borxh qytetarëve të jemi në ballë të kësaj proteste. Vlera e një qeverie është kur zbatohet kushtetuta e ligji dhe nuk ka shans që shqiptarëve t’ju imponohen përdhunues dhe vrasës. Kandidatë në kundërshtim me ligjin nuk mund të kandidojnë.

Në fakt për shumicën e tyre provat kanë dalë dhe janë bërë publike, pavarësisht në disa raste disa media i shërbejnë amnezisë. Kjo është një thirrje të nxjerrin arkivin dhe ti marrin me radhë se kush janë këta kandidatë. Vrasës me pagesë si Abedin Uruci, Ymer Lala, të jemi në këtë betejë aq sa mundemi. Sa të mundeni hapni arkivin se këta janë të denoncuar me emër dhe mbiemër tash e pesë vite.

Ymer Lala është kriminel, Bedri Hoxha është ish deputetet i PD dhe në mënyrë absolute i bëj thirrje çdo demokrati të Matit të braktisë çdo përpjekje të tyre, sepse, çdo motiv që mund të ketë ai, që nuk ëhstë konsultuar me Partinë Demokratike, kthehet në një fasadë të Juntës së krimit. Kaq e thjeshtë është. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë mbështetje. Por nuk është problemi Bedri Hoxha. Problemi është media grykëmbyllur që më kërkojnë mua prova për kriminelët që kam 5 vjet që i denoncoj. Prandaj këtyre mediave u bej thirrje të shikojnë arkivat. Dhe nëse ju pengojnë të shikoni arkivat, na informoni që të denoncojmë me emër dhe mbiemër ata që ju pengojnë të shikoni arkivat.” – tha Basha


KQZ kalon në “sitë” kandidatët për zgjedhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me ndihmën dhe informacionet e marra nga Drejtoria e Burgjeve, ajo e Gjendjes Civile dhe Zyra e Gjendjes Gjyqësore, ka nisur procesin e skanimit të kandidatëve për zgjedhjet e 30 qershorit.


Në “sitë” do të kalojnë të gjithë kandidatët për Kryetar Bashkie dhe ato për Këshillin Bashkiak duke vlerësuar procesin e integritetit të tyre.

Skanimi nisi me kandidatët e PS ku u skanuan 16 prej tyre, të cilët morën aprovimin e KQZ-së, pasi nuk kishin asnjë problematikë që mund t’u pengonte kandidimin.

Pjesë e skanimit të sotëm ishte edhe ish gardisti i 21 janarit, Agron Malaj për Bashkinë Mat, i cili kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim prej 10 muajsh për armëmbajtje pa leje. Ky dënim e pengon kandidimin e tij.


Gjykatës Kushtetuese i ikin 10 kandidatë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës për vlerësimin e kandidatëve në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. KED vendosi sot përfundimin e procedurës së verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave të tërhequra nga kandiditimi dhe ato që janë të ndaluar.


Këshillimi i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturës dhe aktet përkatëse për shprehjen e vullnetit për tërheqje nga kandidimi dhe për ndalimin për kandidim mbi bazën e korrespondencës me ILDKPI për mosdorëzimin në afat të deklaratave të pasurisë sipas ligjit (brenda 15 ditëve), ka vendosur përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidaturës për 5 kandidatë dhe ndalimin e kandidimit për 5 kandidatë të tjerë, në vendet vakante ekzistuese.

Lista e kandidatëve të tërhequr nga kandidimi, për të gjitha pozicionet janë Alban Brati, Irena Reso, Theodhori Sollaku, Genci Ismaili, Avni Shehu. Ndërsa lista e kandidatëve të ndaluar nga kandidimi janë Ardita Alsula, Denar Biba, Kristaq Traja, Vasil Bendo, Kostandin Kazanxhi.

Vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese pritet të jenë të plotësuara brenda qershorit të këtij viti.