Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka mbledhur mbrëmë strukturat drejtuese të partisë së tij, Social-Demokrate ku edhe ka njoftuar ndryshime rrënjësore në qeveri, për shkak të rezultatit jo të mirë në zgjedhjet presidenciale.
“Do të ketë ndryshime në postet ministrore. Do të ndërrohen më shumë se një e treta e ministrave, që nënkupton qeveri të re. Do të ketë ndryshime edhe në pozicionet tjera në qeveri. Çdokund ku është regjistruar arrogancë dhe mungesë të rezultateve do të ketë ndryshime”, ka deklaruar Zaev pas mbledhjes së organeve partiake që ka zgjatur deri rreth mesnatës.
Ndryshimet në qeveri dhe parti, Zaev i ka paralajmëruar për shkak të rezultatit jo të mirë në zgjedhjeve presidenciale.
Megjithëse partia e tij që ishte në koalicion me 31 parti tjera, arriti të fitonte, rezultati ishte shumë i ngushtëm vetëm prej 5 mijë votash. Ky rezultat ka nxitur Zaev që të ndërmarrë ndryshime në qeveri që pritet të ndodhin brenda qershorit.