Dom Gjergj Meta: Papa Bergoglio si “shenjë kundërshtie”

OPINION


Megjithëse na mungon distanca historike e duhur për ta studiuar pontifikatin e Papa Francesco-s, nëse do ta përmblidhja në pak fjalë, do të përdorja togfjalëshin “shenjë kundërshtie”.

Ky togfjalësh nuk është krijim i imi, por gjendet në Ungjillin e Lukës (2,34) ku flitet për Simeonin plak i cili e mori në duart e tij Jezusin foshnjë duke e parashikuar të ardhmen e tij pikërisht si një “shenjë kundërshtie” (semeion antilegomenon) për shumëkënd.


Kur u zgjodh Ipeshkëv i Romës, tetë vite më parë, pikërisht me 13 mars 2013, e si rrjedhojë Bari i Kishës së gjithëmbarshme, Francesku solli me vete nga Argjentina edhe një përvojë kishtare pak të njohur për botën perëndimore, apo në më të shumtën e rasteve të stigmatizuar si përvojë e teologjisë së çlirimit, e cila shpesh është akuzuar për ngjyrimet e saj ideologjike. Pa hyrë në konkretësinë e këtyre vlerësimeve, mund të themi se Kisha në Amerikën latine nuk ishte vetëm ajo e teologëve të çlirimit, por mbi të gjitha Kisha e Óscar Romero-s, e të varfërve dhe e bashkësive që jetonin, punonin e luteshin për zhvillimin dhe mirëqenien integrale të njeriut, në një kontekst shfrytëzimi dhe varfërie ekstreme.

Në këto tetë vite pontifikat, Papa Francesku ka pasur parasysh në gjestet dhe fjalët e tij, pa qenë nevoja që ta citojë gjithmonë, Ungjillin dhe shpirtin e Vatikanit II, si zëri i Hyjit për Kishën bashkëkohore. Po ashtu, ai ka qenë e vijon të jetë një zë i fortë për botën e cila po përballet me shumë probleme si: luftërat, përplasjet etnike, emigracioni, përjashtimi, shfrytëzimi i popujve të varfër, rritja e varfërisë edhe në vendet e zhvilluara, konsumizmi i pafre, etj. Urat që ai ka ndërtuar në dialogun me religjionet, sidomos në Lindjen e mesme me dokumentin e Abbu-Dabit, me vizitën e tij në Irak, me enciklikën “Laudato sii” për tutelën e krijimit, me “Amoris Laetitia” për familjen, e bëjnë atë një “zëdhënës” të fuqishëm të përmasës profetike të Kishës në kohën tonë, besnike ndaj Ungjillit dhe mësimeve të Koncilit II të Vatikanit.

Në kohën që po jetojmë, këtë të pandemisë së shkaktuar prej Covid-19-ës, papa Francesku u bë në një farë mënyre, emblema e njeriut në lutje për gjithë njerëzimin. Pamjet e pashlyeshme të një viti më parë, kur ai doli duke u lutur i vetëm në sheshin e Shën Pjetrit, e bënë atë të dashur për miliona njerëz që ishin të izoluar në shtëpitë e tyre për shkak të përhapjes së virusit.

Janë të shumta epitetet që i janë dhënë Papa Franceskut në këto kohë, nga ato të Papës dialogues, njeri i paqes, afër të varfërve, Papës së thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, reformator, deri tek ato më përçmueset si: Papa liberal, progresist, autoritar, etj.

Ata që e njohin sadopak historinë, të paktën atë të shtatëdhjetë viteve të fundit të Kishës Katolike, e dinë se të njëjtin “fat” patën edhe Gjoni XXIII e Pali VI, njëri Papa që nisi Koncilin e dytë të Vatikanit e tjetri Papa që e vazhdoi dhe e mbylli atë edhe jetoi aq sa të vinte në zbatim shumë gjëra prej tij. Në fakt kjo “shenjë kundërshtie” nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me Papa Franceskun, por me Koncilin II të Vatikanit. Është pikërisht ky moment që krijon një lloj “spartiacque” edhe brenda Kishës katolike, në kuptimin midis dy epokash, duke hapur një rrugëtim vazhdimësie, por edhe ndërprerjeje.

Risia, era e re që fryu nga Koncili II i Vatikanit, qe një frymëmarrje për Kishën katolike, pasi e vuri atë në një pozicion dialogu dhe jo dënimi me botën, me kishat e bashkësitë e tjera të krishtera, me religjionet dhe me botën shekullare. Kjo, e dokumentuar sidomos në Kushtetutën apostolike “Gaudium et spes”. Prandaj entuziazmi apo edhe kundërshtia ndaj Papa Francesco-s nuk është aq shumë e lidhur me personin e tij, por me atë çka ai ka dashur të përcjellë qysh me shfaqjen e tij në ballkonin e Shën Pjetrit, duke i kërkuar popullit të lutet për të dhe me të, pra jetësimin dhe përshkimin e rrugës që kishte hapur Koncili II i Vatikanit.




Skip to toolbar