Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj duke thënë se përgëzon vendimin e tij për të respektuar thirrjen e zyrës së prokurorit të posaçëm për Kosovën.
Në një prononcim të shkurtër për Zërin e Amerikës, DASH vlerëson vendimin e Haradinajt.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë respektimin nga ana e tij të thirrjes për t’u paraqitur para Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Dhomave të Posaçme për Kosovën”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj paraqiti të premten dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i tij. Në një vendim të papritur, ai tha se arsyeja për dorëheqjen është “ftesa për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”.
Dhomat e Posaçme, apo siç njihen në Kosovë, Gjykata e Posaçme me seli në Hagë, u themelua me vendim të parlamentit të Kosovës, ndërsa në të punojnë prokurorë e gjykatës ndërkombëtar dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte dhe të pasluftës.
Prokuroria e Posaçme nuk pranoi të jap ndonjë hollësi rreth ftesës për marrjen në pyetje të Haradinajt që pritet të ndodhë nga mesi i javës së ardhshme.
Dorëheqja e Haradinajt ndodhi në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj tij për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe me të cilat Beogradi vazhdon të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Kosovën.
Ai u shpreh i bindur se pas dorëheqjes së tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa në favor të tyre u shpreh edhe Nisma Socialdemokrate, që është pjesë e koalicionit qeverisës si dhe opozita që hodhi poshtë çdo mundësi të krijimit të ndonjë qeverie të re apo qeverie teknike. Çështja tashmë i mbetet presidentit Hashim Thaçi, i cili duhet të këshillohet me forcat politike në vend.
Dorëheqja e Haradinajt mund të zvarrisë edhe më tej përpjekjet për ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.