“Dibra”, s’ka korrupsion zgjedhor

AKTUALITET


Brenda datës 11 shtator, Rifat Kojku dhe Belina Zeneli, dy prokurorët e Prokurorisë së Dibrës që kanë në dorë dosjen e zgjedhjeve në këtë rreth, duhet të komunikojnë akuzat për të pandehurit. Data 11 shtator shënon dhe 3 vjetorin e regjistrimit të kësaj dosje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, çka do të thotë se para kësaj date prokurorët e Dibrës duhet të komunikojnë akuzat.

Sipas një lajmi të publikuar nga Shqiptarja.com, mësohet se të pandehur duhet të merren personat përgjegjës që janë prëfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ata janë Arben Keshi, Robert Aga, Drini Gjeçi, Bekim Krashi dhe Pjerin Ndreu. Të gjithë këta persona janë zbuluar në bisedat e përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në zgjedhjet e pjesshme vendore të bashkisë së Dibrës në vitin 2016.

Roli i Ndreut, që tashmë është zgjedhur kryebashkiak i Lezhës, mbetet për t`u vlerësuar nga dy prokurorët që kanë në dorë dosjen. Gjithashtu, për shkak të përfundimit të afateve të hetimeve, mësohet se biznesmeni Ymer Lala nuk do të jetë i akuzuar, pasi do të duhej që akuza ndaj tij të ishte ngritur në një afat dyvjeçar nga momenti i regjistrimit të dosjes në prokurori.

Kështu, akuza e “Korrupsionit zgjedhor”, ka rënë. Ndërkohë, akuza e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, do të jenë dy akuzat ku pritet të fokusohen hetimet e prokurorisë.



Skip to toolbar