Drejtësia, Meta sulmon reformën… dhe Euralius

POLITIKË


Ndërsa Rama e cilëson të sukseshme reformën në Drejtësi, krejt ndryshe mendon presidenti Meta. Një lum kritikash ka hedhur ndaj ndërkombëtarëve presidenti Ilir Meta, veçanërisht ndaj misionit të Euralius  që është marrë me Reformën në Drejtësi. Meta është shprehur sot se kjo reformë në drejtësi, përveçse nuk është e suksesshme, nuk është as europiane. Ai madje ka thënë se Euralius ka marrë urdhër politik që të mos marrë pjesë në një takim të thirrur nga Presidenti i Republikës për të biseduar për hedhjen e shortit për anëtarët e KED-së.

“Ne do të flasim për sukseset e mëdha të reformës në drejtësi. I jam shmangur publikisht. Por po bëhen tre vite nga miratimi i reformës në drejtësi, mund të them që nëse do të ishte vërtetë një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa gjykatë Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presion, por me standarde, nëse duhet me emra asnjëherë nuk është e qëndrueshme, por forma të reja për kapjen e institucioneve. Të vijmë te rasti i Gjykatës Kushtetuese se nuk mund të jem i qetë pa e nxjerrë këtë merak. Dy herë janë hedhur shortet e KED-së, që është institucioni kryesor për reformën në drejtësi. Kam bërë përpjekje të mëdha që gjithcka të bëhet sipas Kushtetutës. Herën e dytë si President, një papërgjegjshmëri totale dhe nga ndërkombëtarët. Kam folur hapur, më takon të hedh shortin, por e dimë se çfarë ka ndodhur dhe hajde të ftojmë institucionet jashtë kamerave për të unifikuar qëndrimin e përbashkët, që të mos kemi debate dhe kontestime.


Dhe Euralius i çon përgjigje Presidentit se nuk vijmë dot në takim se jemi mision teknik, që do të thotë se ke marrë porosi politike. Unë nuk e di nga u mor kjo porosi politike. Je mision dhe të fton Presidenti për Kushtetutën e një vendi, po ky Euralius si e jep një vërtetim një kryetari të komisionit të ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk është drejtësi europiane. Këto historitë e peshqve i keni dëgjuar dhe dëgjoni, reforma do të jetë e suksesshme kur të ketë më shumë investime nga SHBA, Britania dhe të tjera. U bëjmë të qartë kujtdo se Kushtetutën tonë nuk mund ta dhunojnë, as Presidenti dhe asnjë ambasador, diplomat apo komisioner. Në fillim të tetorit i kam thënë drejtorit për zgjerimin Denilson që jemi pa gjykatë Kushtetuese. Prandaj kam kërkuar një mision zbatimi të reformës për të garantuar që kjo është histori suksesi për ne dhe për ju”, tha Meta.




Skip to toolbar