Izraeli ka ndaluar tashmë aktivistët e flotiljes globale Sumud, që ishin nisur drejt Gazës me ndihma humanitare.
Por ajo që ka shkaktuar më shumë zemërim nuk është vetëm ky akt I përsëritur, por një video e postuar nga ministri i sigurisë kombëtare të Izraelit Itamar Ben Gvir. Në pamje duken aktivistët që janë dërguar në një port izraelit, me duar të lidhura pas shpine dhe të shtrirë përtokë.
Ben Gvir e postoi vetë videon në rrjetet e tij sociale me mbishkrimin “mirë se vini në Izrael”. Ai shfaqet duke tallur aktivistët dhe duke valvitur një flamur të vendit të tij, ndërsa në sfond dëgjohet himni izraelit.
Reagimi ishte i menjëhershëm edhe brenda qeverisë izraelite, e cila u distancua nga një veprim I tillë. Ndërkohë disa vende, të cilat kishin shtetas të tyre në flotilje, kanë dënuar rastin dhe kanë paralajmëruar masa të mëtejshme.
Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, një nga aleatët më të vendosur të vendit, e përshkroi sjelljen e Ben-Gvir si “të neveritshme” dhe tha se ministri kishte “tradhtuar dinjitetin e kombit të tij”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ishte “i tmerruar nga trajtimi i anëtarëve të flotiljes” dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre.
Avokati australian i të drejtave të njeriut, Patrick Keyser, vajza e të cilit është midis 11 australianëve që mendohet se janë pjesë e një flotilje që po përpiqej të arrinte në Gaza, tha se qeveria e Australisë duhet të sanksionojë Izraelin dhe të rivlerësojë marrëdhëniet dypalëshe.
Australia duhet të përdorë çfarëdo sanksionesh të nevojshme për të siguruar që Izraeli të vendosë sisteme në mënyrë që shkelje të tilla të të drejtave të njeriut të mos ndodhin, tha Keyser.
Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, tha se videot tregonin një mungesë respekti dhe shkelje totale të standardeve themelore të dinjitetit njerëzor dhe kërkoi një shpjegim nga autoritetet izraelite.
Më shumë se 400 aktivistë nga 40 vende, që udhëtonin në 50 anije, morën pjesë në flotilje. Ajo u nis nga Turqia duke transportuar ushqime dhe ndihma të tjera, në përpjekjen më të fundit për të thyer bllokadën izraelite të Gazës.
