Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ishte i ftuar në emisionin Real Story të Sokol Ballës, ku këtë herë është zhvendosur në qytetin e Vlorës. I pyet nga gazetari Balla se a do të votonte më 13 tetor, data e re e zgjedhjeve e dekretuar nga presidenti Meta, Leli tha se do të zbatojë vendimin që do të jap Gjykata Kushtetuese, çfarëdo vendimi që do të marrë.
“Unë jam një person ligjzbatues dhe në momentin që kemi një vendim gjykate në lidhje me datën e 13 tetorit do të zbatoj atë vendim. Por nuk mund të zbatojë vendime të dala nga kushte apo insinuata politike. 30 qershori dhe ditët pas tij do të sjellin një qartësi mendimi dhe një qartësim ligjor për të gjithë. Për të shkuar në zgjedhje është e drejtë e qytetarëve dhe mbajtja e tyre ne datën e duhur është e rëndësishme dhe në zbatim të ligjit.” tha Leli
Gjithashtu Leli tha se në këto zgjedhje, më shumë se votimi, ka shumë rëndësi procesi zgjedhor dhe mbarëvajtja e tij. Ndërsa në lidhje me protestën e opozitës, që po ndodh shumë afër takimit ku po zhvillohet mitingu elektoral i PS-së, Leli tha se kjo është një e drejtë demokratike e gjithsecilit . E rëndësishme është që protestat të jenë paqësore dhe larg dhunës tha Leli
“Ajo që ka rëndësi është procesi zgjedhor. Jam munduar të ruaj gjithmonë standardet demokratike. Sa për protestat e PD, është një grup personash që meriton të respektohet dhe personalisht u ka siguruar të gjithë mundësitë që të protestojnë në mënyrë paqësore. Boll më me dhunë dhe incidente. Dhuna dëmton jo vetëm imazhin e Vlorës, por të gjithë Shqipërisë. Shpresojmë shumë që pas 30 qershorit Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane.” – tha Leli / realstory.al