Kryeministri Edi Rama e cilësoi paketën ligjore Anti-KÇK më agresiven në këto 30 vite që pritet të godasë krimin dhe korrupsionin duke i dhënë fund njëherë e mirë sistemit të drejtësisë së vjetër dhe të korruptuar. Prezantimi i paketës ligjore Anti-KÇK solli reagimin e opozitës jashtë parlamentare që e cilësoi këtë strukturë si dublim të SPAK dhe akuzuan kryeministrin Rama se përmes kësaj nisme synon t’i marrë kompetencat SPAK dhe BKH-së. Rama i cilësoi këto akuza si ‘reagime idiote” ndërsa sqaroi se “Operacioni Forca e Ligjit” as nuk dublon dhe as nuk pengon institucionet që po lindin nga Reforma në Drejtësi.
“Pres shumë më tepër reagime idiotike ndaj paketës më agresive ligjore, që një qeveri ka formuluar ndonjëherë në këta 30 vjet, kundër krimit të organizuar dhe aleatëve të tij në sistemin e vjetër e të korruptuar të drejtësisë! S’kemi dëgjuar gjë akoma, po ama s’kanë parë gjë akoma!
Operacioni Forca e Ligjit (OFL) as nuk dublon, as nuk pengon, as nuk anashkalon institucionet që po lindin nga Reforma në Drejtësi, po është komplementar me to dhe do t’i bëjë një shërbim të madh shoqërisë, në këtë fazë tranzitore të sistemit të drejtësisë! Kaq për momentin” shkruan Rama në një reagim në twitter.
“Operacioni Forca e Ligjit” ishte një njësi speciale e krijuar nga Ministria e Brendshme gjatë vitit 2017-2018, që kishte pikërisht synim të saj luftën kundër krimit të organizuar dhe grupet kriminale në vend. Ajo u riaktivizua sërish nga kryeministri Rama duke e implementuar atë në paketën Anti-KÇK.