Analisti Arjan Vasjari tha se palët politike duhet të kishin bërë fillimisht një ‘mea culpa’ për shqiptarët dhe vitin e tmerrshëm që krijuan në 2019, por në fakt treguan se në tryezë u ulën dy kultura të dështuara politike. Vasjari tha në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se palët politike duhet që të njihnin faktin se viti 2019 kishte zhvillime të tmerrshme politike, ndërsa nënvizoi dhe gabimet e opozitës, ku në disa raste bie edhe në kundërshtim me veten.
“Unë jam skeptik. Në tryezë janë ulur dy kultura politike të dështuara. Nga njëra anë është kultura e dështuar e përfaqësuar jashtë institucioneve. Ndërsa Zoti Bushati këtu përfaqëson kulturën e përfaqësimit të vendit pa opozitën. Viti 2019 është bilanci i dështimit spektakolar në 28 vjet. 2019 ishte dështimi total. Në substancë nuk ka ndryshuar asgjë. Duhet që palët të thoshin se viti 2019 është një vit totalisht shkatërrues demokracie dhe palët duhet të mendonin për ndryshim. Palët nuk kanë thënë këtë gjë prandaj jam skeptik. Palët duhet që të kërkonin ‘mea culpa’. Edhe opozita ka gabimet e veta. Nëse opozita thotë se nuk ka zgjedhje të lira me Edi Ramën, pse ulet në tryezë me të? Ju jeni në kundërshtim me veten”, deklaroi Vasjari.