Atentati ndaj Ndojës: Drejtësia “viktimë”, përgjegjëse politika, përfitoi mafia

AKTUALITET


Analisti Arjan Vasjari e cilësoi atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja tipik mafioz, duke vërtetuar se tashmë vendi ka “mafien e saj autoktone”. Vasjari tha në emisionin “Real Story” në News 24 se ky atentat përshkruan në mënyrë simbolike se “në atë makinë udhëtonte shteti, krimi dhe populli, dhe siç ndodh gjithmonë populli vdes” duke iu referuar edhe vdekjes së shoferit të prokurorit Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pasditen e të enjtes në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Vasjari tha se njerëzit e drejtësisë goditen vetëm për dy arsye ose kur luftojnë krimin ose kur bëjnë biznes me të. Analisti shtoi se nuk mund të akuzojë prokurorin se po bashkëpunon me krimin, por fakti që udhëton me të tregon se nuk po e lufton.


“Ajo çfarë ndodhi te mbikalimi i Shkozet, është për të shpjeguar Shqipërinë e sotme. Në atë makinë udhëtonte shteti, krimi dhe populli, dhe siç ndodh gjithmonë me popullin, populli vdes. Përmasa e asaj çfarë ka ndodhur është qartësisht përmasa e një ngjarjeje mafioze, tipikisht mafioze. Duhet të themi se tashmë Shqipëria në realitete të caktuara të saj, veçanërisht Durrësi, fenomeni mafioz ka pësuar një metamorfozë. Tani flitet për mafie të mirëfilltë. Ne duhet të themi “po, kemi një mafie autoktone, një mafie tonën”. Shpeshherë ngatërrohet krimi i organizuar me mafien. Mafia është një fenomen politiko-social i strukturuar, që bashkëjeton vetëm në bashkësinë e shtetit dhe të politikës. Në Shqipëri mafia është e kapitalizuar, është në shtet, në strukturat e drejtësisë, në politikë, në bashki, etj. Ajo që është shqetësuese, është se ne kemi dhe një kërkesë të madhe për mafiozët. Njerëzit e drejtësisë mund të goditen vetëm për dy arsye ose se luftojnë bizneset e krimit ose se bëjnë biznes me krimin, nuk ka rrugëdalje tjetër. Unë nuk e di që Ndoji është duke bërë biznes me krimin, ama të udhëtosh me krimin është provë e qartë se nuk je duke i luftuar”- tha Vasjari.

Ndërkohë, Arian Vasjari shtoi se sistemi i drejtësisë është “viktimë” në këtë histori. Sipas tij, përgjegjëse kryesore është politika. Përplasjet e saj me sistemin e drejtësisë, krijuan vakumin që tashmë po shfrytëzohet nga mafia, e cila zgjidha ato probleme që nuk i zgjidh drejtësia dhe politika,

“Për mua sistemi i drejtësisë është “viktimë” në këtë histori. Fajin kryesor e ka politika. Unë them që ka një rritje të fenomenit mafioz vitet e fundit. Kjo ka ndodhur sepse s`kishte unitet mes politikës dhe sistemit të drejtësisë. Unë mendoj se ky vakum është shfrytëzuar nga fenomeni mafioz. Atë që nuk e zgjidhte politika apo sistemi i drejtësisë, e zgjidhte fenomeni mafioz.  Është një konflikt jo parimor mes politikës dhe të drejtës. Për të thënë është parimor ose jo, do të duhet të presim deri sa të krijohet SPAK. Ky është një shtet brenda shtetit, që e kanë marrë në dorë ata që e kanë marrë. Unë për këtë jam optimist”, tha Vasjari.

Mungesa e drejtësisë dhe lidhjet e krimit me politikën janë arsyet se pse ndodhin atentate tipike mafioze në vend si ai ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Analisti Skënder Minxhozi e cilësoi atentatin ndaj prokurorit si ngjarje që erdhi nga një drejtësi e munguar. Minxhozi tha se njerëzit e drejtësisë janë të përlyer dhe se për shkak të kësaj askush nuk shkon në burg apo dënohet. Në emisionin “Real Story” Mnixhozi tha se vendi është bërë më keq se jugu i Italisë në vitet 1970 dhe shoqëria është e kriminalizuar në një shkallë shumë të lartë. Sipas Minxhozit shpëtim mund të shihet vetëm te drejtësia e re, por që shprehu rezerva për procesin e Vetingut

“Duket sikur jetojmë në jug të Italisë në vitet ’70, sepse kemi të vrarë. Këtu tek ne është më pak e lavdishme, sepse njerëzit e drejtësisë janë të përlyer. Kjo është një ngjarje e mbartur nga një drejtësia e munguar. Kjo tregon se sa thellë ka hyrë në indin njerëzor krimi dhe kriminalizimi. Kjo shoqëria është e kriminalizaur në një shkallë shumë ta lartë. Këtu nuk hyn askush në burg, por dalin të gjithë të pafajshëm. Nuk hyn njeri në burg që vjedh vota. Drejtësia e re duhet të bëjë drejtësi. Tek kjo kemi të vetmen shpresë, përndryshe do të shkojmë të gjithë në Gjermani te Merkel. Vettingu nuk po sitë mirë dhe imët ata që kalojnë matanë. Unë kam dyshimin se nuk është një sitë kaq e imtë dhe e kujdesshme. Nuk e shoh çështjen politikisht, por teknikisht. Edhe ata që po kalojnë vettingun kam përshtypjen se nuk janë të gjithë të virgjër”-tha Minxhozi.

Mungesa e drejtësisë që sjell akte të tilla u mbështet edhe nga analisti Alfred Lela, i cili tha se ngjarje të tilla i kemi parë më herët edhe në Shkodër, Vlorë e Durrës. “Kjo ngjarje bëri bashkë 3 pika kryesore që janë çështja e pronave, drejtësia e munguar dhe infektimi i zgjedhjeve. Më pëlqeu metafora e Vasjarit, që në fund populli e ha. Këtu te ne është populli që e ha në këtë film që është vënë në skenë nga politika dhe drejtësia.” tha Lela

Analisti Robert Rakipllari tha se kjo çështje vjen si pasojë e “tranzicionit’ që po kalon drejtësia nga e vjetra drejt të resë. “Këto ngjarje janë efekt i reformës në drejtësi ku krimi, prokurorët dhe politika po mundohen t’i zgjidhin sa më shpejtë çështjet që të mos mbeten në dorë të drejtësisë së re që po vjen. Kjo drejtësi “tranzitore” që kemi aktualisht është më qesharake se ajo që kishim. Krimi është i lidhur me drejtësinë e politikën, të paktën në nivel qendror. “Rrumi” e tregoi këtë.” tha Rakipllari./ Real Story/




Skip to toolbar