Kukësi ka prezantuar zyrtarisht Shpëtim Duron si trajner për sezonin e ri. Gjatë fjalës para gazetarëve, Duro u shpreh se detyra që po merr është një përgjegjësi e madhe për të. “Puna e trajnerit është përgjegjësi në çdo skuadër. Edhe marrja e drejtimit të Kukësit është përgjegjësi, edhe më e madhe, sepse Kukësi ka qenë protagonist me Skënderbeun dhe Partizanin në dekadën e fundit, duke fituar edhe trofe. Është një kënaqësi të marr drejtimin dhe falënderoj drejtuesit dhe presidentin për besimin. Pozitive është që është fillimi i sezonit, ndaj kemi kohë”, është shprehur Duro.
Sipas tij, Kukësi është nga ato ekipe që nuk refuzohet për t`u drejtuar, ndërkohë në lidhje me raportin që do të ketë me presidentin Safet Gjici, Duro është shprehur se: “Janë disa skuadra që nuk refuzohen. Projekti dhe objektivat, skuadra cilësorë që ka, këto më binden të pranoj. Puna e trajnerit e tillë është. Është hera e parë që bashkëpunoj me Gjicin, është president ambicioz, që ka fituar shumë. Nga jashtë e kam parë që skuadrat e ndërtuara këtu kanë qenë gjithnjë të forta, shpresojmë të bëjmë më të mirën”.
Ekipi, sipas trajnerit të ri, është me lojtarë cilësorë, ndaj për Shpëtim Duron puna në merkato do të jetë e vogël. “Nuk ka arsye për të ndërhyrë fuqimisht në ekip. Do ketë ndonjë largim që do zëvendësohet. Skuadra është cilësore, unë kam mendimet e mia ku mund të përforcohemi, në bashkëpunim me Nexhipin, të cilin e kam pasur edhe futbollist, tani e kam drejtues”, është shprehur Duro.
Ai ka treguar se ofertën e parë, që Safet Gjici i ka bërë një trajneri në superiore disa vite më parë, ka qenë pikërisht ndja tij. Shpëtim Duro ka vlerësuar edhe faktin që krah tij, si drejtor të klubit, do të ketë Nderim Nexhipin, të cilin më herët e ka pasur futbollist te Partizani dhe Shkëndija e Tetovës. Lidhur me rivalët në kampionat, duke u shprehur se e shkuara mbetet e shkuar, ndërsa tani do të fokusohet te Kukësi.
“Kam punuar te Partizani, por jemi profesionistë. Nuk e mohoj të shkuarën, por tani do të bëj të pamundurën për të ndihmuar Kukësin të fitojë. Nuk i kam qejf termat mbrojtës, sulmues, janë përkufizime të dala mode. Unë kam pasur gjithnjë ekipe të ekuilibruara, elastike, në varësi të kundërshtarit. Rëndësi ka që skuadra të funksionojë”. Ka thënë ndër të tjera në fjalët e para si trajner i Kukësit Shpëtim Duro.