Në mbledhjen e fundit të Kuvendit për muajin korrik, para se deputetët të marrin pushimet, janë miratuar dy ligjet e fundit të Reformës në Drejtësi. Kështu, me 106 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, është miratuar projektligji “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë” dhe projektligji “Për statusin e gjyqytarëve dhe prokurorëve”.
Të dy këto ligje, u rikthyen përshyrtim përsëri në Kuvend nga Gjykata Kushtetuese dy vjet më parë, pasi 22 nene të tyre nuk ishin në përputhje me Kushtetutën. Këto nene u shfuqizuan nga Gjykata Kushtetuese, ndërkohë, dy vjet më parë, pas rikthimit të ligjeve për shqyrtim, mazhoranca kërkoi nga opozita e asaj kohe, PD dhe LSI, që të bënin ndryshimet e nevojshme dhe më pas me konsensus, ashtu si në miratimin në tërësi të Reformës në Drejtësi, të miratoheshin dhe këto dy ligje.
Por, opozita refuzoi të ofronte konsensus, dhe në këto kushte mazhoranca në mungesë të 84 votave në parlament, u detyrua të linte në sirtar dy ligjet e fundit të Reformës në Drejtësi, që rregullojnë funksionimin e organeve të sistemit të drejtësisë, dhe statusin e gjykatësve dhe prokurorëve. Megjithatë, pas largimit të opozitës nga parlamenti, deputetët e rinj të PD-LSI në Kuvend ofruan mbështetje për miratimin e dy ligjeve të fundit të Refomrës në Drejtësi.
Në këto kushte, mazhoranca i riktheu për rishqyrtim të hënën në Komisionin e Ligjeve dhe të enjten, me shumicë të cilësuar, u miratuan ligjet e reja. Gjatë seancës së diskutimit në Komisionin e Ligjeve të hënën, deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati u shpreh se “diskutimet për ndryshimet e këtyre projektligjeve janë realizuar sipas kërkesave të Gjykatës Kushtetuese, në prezencën e misioneve ndërkombëtare”. Këto ndryshime u japin mundësinë KLP dhe KLGJ-së për të marrë masa disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët dhe i hap rrugë emërimit të diplomuarve nga magjistratura. Për reformën në drejtësi, priten dhe korrektime nga ndërkombëtarët.
Me miratimin e dy ligjeve, “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë” dhe projektligji “Për statusin e gjyqytarëve dhe prokurorëve”, plotësohet gjithë kuadri ligjor i Reformës në Drejtësi, miratuar me konsensus nga mazhoranca dhe opozita dy vite më parë. Tashmë, zbatimi i kësaj reforme, lidhet direkt me krijimin dhe funksionimin e organeve të reja të drejtësisë, si: SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, plotësimi i vakancave në Gjykatë Kushtetuese apo Gjykatën e Lartë.