Coronavirusi vë Europën në një sprovë të vështirë. E goditur fort para një viti, duke u bërë epiqendra e pandemisë pas Kinës, Europa u përça nga mungesa e maskave dhe nga mbyllja e kufijve e tipit ‘’të shpëtojë kush të mundet’’. Më pas ajo e mori veten. Solidariteti u organizua dhe bashkimi mori prioritet. Në një demarsh historik, vendet e BE-së arritën një akord verën e kaluar mbi një plan ripërtëritje ekonomike, i cili vulos fatin e përbashkët.
Paralelisht Komisioni Europian mori një iniciative të admirueshme. Për të evituar që një garë për blerjen e vaksinave të mos bëhej një kërcënim vdekjeprurës për unitetin e unionit, ai vendosi të bashkojë porositë duke siguruar rreth 2 miliardë doza në 6 laboratorë farmaceutikë të ndryshëm. Këto doza do të duhet të shpërndaheshin në të 27 vendet anëtare, sipas numrit të popullsisë. E gjitha u bë për të bërë më të mirën në një situatë aspak të mirë.
Fatkeqësisht ky plan i bukur është duke marrë një drejtim të gabuar. Pamjaftueshmëria e kapaciteteve të prodhimit të firmave farmaceutike, nën presionin e porosive shumë të larta, përballë shfaqjes së varianteve të reja të virusit dhe përballë kërcënimit nga një valë e tretë, po mbjell kaos në fushatën e vaksinimit. Rishtaz, paniku po dominon Brukselin dhe kryeqytetet europiane.
Akuzat shfaqen nga të gjitha anët. Komisioni Europian fajëson kompaninë anglo-suedeze AstraZeneca, e cila ka zhvilluar një vaksinë në bashkëpunim me universitetin e Oksfordit, për mos respektim të angazhimit dhe dyshon që po favorizon Britaninë e Madhe në furnizimin me vaksina. CEO i kompanisë përgjigjet duke akuzuar KE për mungesë kompetence, pasi ka bërë porosinë e vaksinave 3 muaj pas qeverisë britanike. Në Londër, kryeministri, Boris Jonson, shpreson te vaksina për të bërë të harrohet menaxhimi shkatërrues i krizës sanitare dhe fillimi i vështirë i Brexit.
Goditja fatale erdhi të premten e 29 janarit, ndërkohë që KE, i cili kishte vendosur të kontrollonte eksportet e vaksinave në territorin e tij, donte të aktivizonte një klauzolë të akordit të Brexit, i cili do të kishte finalizuar një rivendosje të kufirit mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut (Irlanda është ende një vend i BE-së). Fatmirësisht, pas presioneve të forta të Londrës dhe Dublinit ndaj presidentes se KE, Ursula von der Leyen, KE u tërhoq.
Me këtë ritëm nuk flitet më për Bashkim Europian, po për male ruse. Është urgjente të qetësohen shpirtrat në Bruksel, në Londër apo në Paris. Edhe në Berlin, ku klima para-elektorale dhe përkeqësimi i krizës sanitare kanë bërë që qeveritarët të ushtrojnë një presion të tepruar mbi instancat europiane.
Kohëzgjatja e pandemisë vendos liderët politikë dhe ata industrialë përballë një situate, sa të veçantë, aq edhe të paparashikueshme. Shoqëritë janë tejlodhur. Kufijtë po mbyllen sërish. BE-ja është e pajisur keq për urgjenca sanitare të këtyre përmasave. Të gjithë avancojnë në terren të panjohur dhe në mënyrë të paevitueshme janë bërë gabime. Është dëshpëruese që interesat politike dhe rivalitetet gjeopolitike të dominojnë mbi atë që askush nuk do të duhej ta humbte nga sytë: vaksinimi i sa më shumë personave që të jetë e mundur, në Europë dhe në Botë. Ky ishte objektivi i BE-së, i cili shikonte tek vaksinat një të mirë të përbashkët për të gjithë Botën. Është koha t’i rikthehemi këtij plani, me një bashkëpunim pa rezerva mes qeverive dhe industrisë farmaceutike.