Ka përfunduar me një vrasje dhe një plagosje të rëndë një konflikt me armë mes kosovarëve në Gjermani. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin bavarez të Abensberg (rrethi Kelheim), ku një 39-vjeçar shqiptar nga Kosova është qëlluar për vdekje, ndërsa pak më vonë është plagosur rëndë një tjetër person, që dyshohet se është vëllai i viktimës.
Mediat kosovare raportojnë se viktima është Fatos Lumi nga Bllaca e Suharekës.
Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë se të shtënat me armë erdhën nga një automjet. Nga të shtënat mbeti i vdekur në vendngjarje 39 vjeçari shqiptar.
Pak kohë më vonë, të shtëna të mëtejshme u regjistruan në të njëjtën zonë. Një 46-vjeçar u godit dhe u plagos rëndë. Ai dyshohet se është vëllai i viktimës. Ai u transportua në spital me anë të një helikopteri.
Dëshmitarët thanë se një automjet u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas të shtënave. Policia arriti ta ndalonte automjetin në kohë e ndihmuar edhe nga një helikopter nga ajri. Vrasësit janë dy burrat nga Kosova 30 dhe 41 vjeç të cilët u arrestuan pa rezistencë.
Dy të dyshuarit kanë lidhje midis tyre, tha zëdhënësi i policisë Günther Tomaschko. Për më tepër, policia arriti të sekuestronte armën e vrasjes.