Meta si prokuror, kërcënon Ramën me dosjen e fasadave

AKTUALITET


Ndërsa u tërhoq nga deklarata se do të jepte dorëheqjen nëse Venecia konstaton se ai ka shkelur Kushtetutën dhe pasi akuzoi Venecian se “ishte çmendur” dhe sulmoi ashpër ambasadorët dhe ndërkombëtarët të cilët i cilësoi “palaço”, Ilir Meta ka nisur një luftë të re, duke kërcënuar kryeministrin me dosje të vjetra njëlloj sikur të ishte kryeprokuror.

Gjatë intervistës në emisionin Opinion, Meta tha se ka ruajtur dosjen e lyerjes së fasadave të pallateve nga Edi Rama gjatë kohës që ka qenë ministër kulture.


“Nuk ka kaluar shumë kohë kur ka qenë Ilir Meta kryeministër, nuk kalonte një vendim qeverie pa patur konsensus nga të gjithë ministrat. Dhe të vetmet çështje që kanë patur debate më të forta dhe për të cilat janë shtyrë 4 apo 5 herë mbledhjet e qeverisë derisa të bëheshin letrat në rregull kanë qenë çështjet që vinin nga Ministria e Kulturës, që nga çështja e fasadave, se janë aty procesverbalet, e kam edhe unë një kopje të tyre, ngaqë zotëria në fjalë nuk bënte dot letrat në rregull dhe nuk pranonte Ministri i Financave, nuk pranonte Ministri i Punëve Publike, zoti Demeti dhe shumë të tjerë që të miratonin letra, që nuk ishin në rregull dhe në përputhje me ligjin dhe rregullat financiare të shtetit”, tha Meta në përfundim të intervistës.

Me një deklaratë të tillë presidenti nxjerr nga sirtari një dosje që ka gati 20 vjet që qëndron e pahapur që nga viti 98-2000 kur ai mbajti postin e ministrit të Kulturës. Pas këtij posti Rama u zgjodh kryebashkiak i Tiranës dhe opozita në atë kohë ngriti një komision të famshëm hetimor që hetoi akuzat për abuzime me fondet nga Rama./realstory.al




Skip to toolbar