Euro 2020, Kosova sfidon Anglinë

SPORT


Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë ndeshjen kualifikuese të Euro 2020 ndaj Anglisë të martën në mbrëmje. Një duel që ka ngjallur frikë në kombëtaren e “Tre Luanëve”. Edhe pse është Anglia, sërish duhet bërë kujdes. Dhe jo pak. Gazeta prestigjioze britanike, The Guardian, tërheq vëmendjen se Kosova është skuadra që nuk duhet anashkaluar dhe kërkon vëmendje në sfidat kualifikuese për Euro 2020.

Në një shkrim të fundit për “10 gjërat të cilave duhet t’ju kushtoni vëmendje”, The Guardian e përmend edhe Kombëtaren verdhekaltër dhe duelin e së martës ndaj Anglisë në Southampton. E përditshmja britanike beson se kushdo që mendon se Anglia e ka shumë të lehtë ndaj Kosovës, duhet të mendojë dy herë dhe se Kombëtarja dardane mund të shkaktojë tronditje ndaj “Tre luanëve”, me gjithë mungesat e shumta.


Sipas analizës së “The Guardian”, ajo është skuadra më e re kombëtare në Evropë dhe vërtet ekip vdekjeprurës tani, prandaj kushdo që mendon se Anglia do ta ketë të lehtë duhet të mendojë dy herë, por sa keq që ajo vjen pa dy kërcënimet më të mëdha. Milot Rashica dhe Arbër Zeneli janë dy prej anësorëve më tërheqës për momentin, por të dy të lënduar. Mungesa e tyre ia zbeh shanset për t’u kualifikuar në Euro 2020, me Benjamin Kolollin, Hekuran Kryeziun dhe Herolind Shalën që do të mungojnë, po ashtu.

Por, Kosova ka tjerë lojtarë që përbëjnë kërcënim, siç është sulmuesi në formë i Fenerbahçe, Vedat Muriqi, dhe Bersant Celina i Swansea City. Prandaj, nëse Kosova del nga ndeshja e së shtunës kundër Republikës së Çekisë e pa dëmtuar, mbase do të tronditë në Southampton të martën. Kosova e pret Çekinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë të shtunën, para se të udhëtojë drejt Southamptonit për t’u përballur me Anglinë të martën më 10 Shtator.




Skip to toolbar