“Farka” e “Alliasi” kapin tre persona me kokainë e heroinë

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka bërë dy goditje të shpërndarjes së lëndëve të forta narkotike në kryeqytet, duke arrestuar tre persona. Dy prej tyre janë arrestuar gjatë operacionit “Farka” për shpërndarje kokaine, ndërsa i treti gjatë operacioni “Alliasi” për shpërndarje heroine.

Policia ta se gjatë operacionit “Farka” u arrestuan në flagrancë shtetasit F. L., 30 vjeç, banues në Elbasan dhe I. Z., 24 vjeç, banues në Tiranë. Për këta shtetas ishte marrë informacion në rrugë operative se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike kokainë, kryesisht gjatë mbrëmjes, në zonën pranë liqenit të Farkës. Gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën “Agush Gjergjevica”, këta shtetas janë kapur në flagrancë me 11 gramë kokainë, 37 300 lekë dhe një sasi valute, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Po gjatë orëve të fundit, u zhvillua operacioni “Alliasi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi S. H., 57 vjeç, banues në Tiranë. Për këtë shtetas, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kishin marrë informacion në rrugë operative se ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta, kryesisht heroine, në zonën e Alliasit, Tiranë. Në rrugën “Njazi Meka” ky shtetas është kapur në flagrancë nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, me doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, me peshë 8.4 gramë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti 2 thika, qese farmaceutike, një peshore elektronike, 3 800 lekë dhe 3 celularë, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.



Skip to toolbar