“Të gjitha banesat duhet të jenë të siguruara”

Nga mbledhja e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar fjalës së inxhinieres Luljeta Bozo që kërkoi hetim për ndërtimet, tha se në Shqipëri nuk është problem ligji. Rama u shpreh se problem është zbatimi i tij, ndërsa theksoi se “KÇK” ka bërë namin me ndërtimet. “Këtu nuk është ligji por zbatimi i tij. ne e dimë që KÇK ka bërë namin me ndërtimet, namin”, tha Rama. Më tej, ai paralahjmëroi se qeveria nuk do të marrë më përgjegjësi për ndërtimet që do të shkatërrohen nga fatkeqësitë natyrore.

Sipas Ramës, në vijim do të bëhet i detyruar sigurimi i banesës. Ai tha se aktualisht shumë nga familjarët që u janë shembur shtëpitë nga tërmeti kanë përfituar dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit, pasi më herët kishin bërë sigurimin e banesës. Rama tha se kjo praktikë duhet të bëhet e detyruar në vijim.

“Duhet që sigurimi i banesës të bëhet i detyrueshëm. Janë një numër i konsiderueshëm nga këto që janë dëmtuar që kanë marrë dëmshpërblim. Janë 12 milionë euro që janë paguar nga sigurimet. Mund të shkojnë dhe më tepër. Nuk e kanë konsideruar sigurimin e kokës së tyre si taks. Ne nuk do rimbursojmë më dëme që janë si rezultat i mosmarrjes së përgjegjësisë individuale. Të gjitha banesat duhet të sigurohen”, tha Rama.

Ndërkohë, inxhinierja Luljeta Bozo tha se duhet bërë një organizim më i mirë i punës në terren. Ajo kërkoi që pushteti lokal të mos pranojë asnjë ndërtim pa projekt.

“Brenda një jave duhet ta kemi këtë panoramim. Pas kësaj, duhet bërë një plan organizimi, nga njësia vendore ta organizojë punën se si të fillojë me strehimin e banorëve, nga ato që janë në qiell të hapur dhe të jepet një afat, afati është shumë i rëndësishëm. Që çdo gjë të jetë shumë e qartë. Kur janë tre-katër kurora në një shtëpi, sa shtëpi do t’u bëhet atyre. Problemi i fondit për banesat private, shteti, por të jap fond dhe individi. Asnjë komunë nuk duhet të pranojë një rindërtim pa projekt, është e pamundur. Administrata të jetë më operative, nuk duhet të punojë më me ritmin që ka punuar më herët”, tha Bozo.

“Do deklarojnë pasurinë si politikanët”, Lleshaj: Do shkatërrojmë bizneset kriminale

Ligji që synon të ashpërsojë goditjen kundër krimit të organizuar nxiti debate të ashpra në studion e “Real Story”. Gazetarja Klodiana Lala u shpreh se ligji cënon lirinë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa policia merr kompetenca që nuk i takojnë. Megjithatë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh se ligji ka target të kufizuar, kryesisht krimin e organizuar, personat e dënuar për trafik droge apo terrorizëm. Sipas Ministrit, ligji ka garanci se do të zbatohet, ndryshe nga ligji Anti-Mafia që nuk u zbatua kurrë, sipas ministrit.

“Subjektet e këtij ligji janë personat që kanë kryer një vepër penale. Pra që janë dënuar për një kategori të caktuar veprash penale, krimi organizuar, droga apo terrorizmi. Ndaj këtyre personave ka dorë më të lirë policia për tu marrë me ta. Ky ligj ka karakter administrativ. Ligji anti-mafia nuk është zbatuar asnjë ditë. Ky ligj ka garanci për t`u zbatuar. Do shkatërrojmë bizneset kriminale. Krimi organizuar edhe pse është i fshehtë, por ka një gjë që është e dukshme, pasuria e tyre. Ne do shkatërrojmë këtë model të biznesit të tyre. këtë do bëjmë, do t`i japim fuqi policisë që të sekuestrojë në çast bizneset e kriminelëve”, tha Lleshaj.

Si kontrollohet një person që ka 12 mijë euro të ardhura dhe ka makinë 120 mijë euro? Kësaj pyetje të drejtuesit të emisionit “Real Story”, Sokol Balla, ministri Lleshaj iu përgjigj se ky është synimi i ligjit për personat e dënuar për vepra të rënda penale. Sipas tij, për shkak të mungesës së një ligji për deklarimin e pasurisë për qytetarët e thjeshtë, ky ligj i detyron personat e dënuar të deklarojnë se si e kanë bërë pasurinë, të cilën duhet ta provojnë në gjykatë.

“Ne na mungon detyrimi i qytetarëve për të deklaruar pasurinë. Ky ligj, thotë, për një të dënuar që ka dalë nga burgu: t`i që ke këtë makinë luksoze, shko në gjykatë, provoje që është makina jote dhe hajde merre. Pra gjithë cikli mbyllet në gjykatë. Nëse policia e ka gabim, do e dëmshpërblejë. E ka të shkruar ligji. Ne po i vendosim kriminelët në situatë siç kemi vendosur politikanët dhe gjyqtarët, pra të deklarojnë të ardhurat e tyre. Nëse ka mos përputhje të mbajnë përgjegjësi”, tha Lleshaj./Realstory.al/

Ligji “Anti-KÇK”, Lleshaj: Vullnet politik për të goditur krimin

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, ku tregoi arsyet pse u pa e nevojshme për të krijuar një ligj special kundër krimit të organizuar. Ministri argumentoi se së pari, se nisma është politike, një vullnet politik që synon t`i japë goditje krimit.  “Do them që kjo nismë ligjore është nismë politike. Nëse flasim për përdorim politik po, pasi është nismë politike, vullnet politik për t’i dhënë goditje krimit e korrupsionit në nivel të panjohur më parë. Lidhet me situatën në të cilën ndodhet vendi sot. Ndodhet në një situatë, që karakterizohet nga Reforma në Drejtësi, dhe tashmë kjo reformë po afrohet drejt fazave finale të saj”, tha Lleshaj.

Sipas tij, në kushtet kur Reforma në Drejtësi është ende pa u zbatuar plotësisht, është krijuar një vakum për goditjen e krimit të organizuar. Sipas tij, shkak është bërë Vettingu, që ka larguar nga sistemi i drejtësisë shumë gjyqtarë e prokurorë, por njëkohësisht, shumë të tjerë nuk po punojnë me efektivitet kundër krimit, për shkak se presin Vettingun. Për këtë arsye, sipas Ministrit Lleshaj janë krijuar shumë probleme për zbatimin e ligjit kundër  personave që kanë precedentë penal.

“Ka një demotivim, ose motivim për keq, të atyre që parashikohet të mos e kalojnë Vettingun. Këta po krijojnë kosto, përmes vendimeve skandaloze, që po japin, duke bërë që persona me rekorde kriminale të mos dënohen, të dënohen pak, ose të lirohen në sallë e gjyqit. Kriminelët të dalin dhe të bëjnë sërish krime. Kemi një trup të caktuar gjyqtarësh e prokurorësh, që po bëjnë të kundërtën e asaj që duhet. Për të mbuluar edhe boshllëkun e SPAK, BKH, ne kërkojmë të adresojmë dhe zgjidhim këtë problem. Ka dy qasje, e para të dekurajojë krimin, kokat e krimit që kanë komoditetin për të bërë më shumë krime, dhe të fuqizojë instrumentet e luftës ndaj tyre”, deklaroi ministri./Realstory.al/

“Fauda” prezantohet në 25 nëntor. Do luftojë “KÇK” dhe krimin e organizuar

Kryeministri vendosi  të mos i kushtonte shumë vëmendje atyre që i quajti “marrëzi të Ilir Metës”. Gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit për miratimin e projekt-rezolutës për Gjykatën Kushtetuese, Rama foli për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe gjyqtarëve apo prokurorëve të korruptuar. E njohur ndryshe si “Fauda shqiptare”, që Realstory.al e lajmëroi pak ditë më parë, Rama tha se platforma e këtij ligji do të bëhet publik në datën 25 nëntor.

“Beteja jonë sot nuk është me Ilir Metën, beteja është me ata të “Kap Çfarë të Kapësh”. Duhet vepruar një orë e më parë kundër KÇK, duke nxjerrë në pah të gjithë përmasën e llumit që është kthyer në një shtupë që e pengon sot më shumë se asnjëherë rrjedhjen e lirë të ujërave drejt sistemit të drejtësisë. Ky është një tjetër motiv për ne, të shpejtojmë dhe përshkallëzimin e luftës ndaj KÇK-së mos e lëmë thjesht dhe vetëm në radhën e  pritjes së vettingut, por ta nisim dhe ta shoqërojmë njëkohësisht me një përshkallëzim të luftës kundër krimit të organizuar”, tha Rama.

Në shënjestrën e “Fauda” do të jenë ata që nuk janë dënuar për krime të rënda që kanë kryer, si dhe prokurorët apo gjyqtarët që i kanë shpëtuar kriminelët, të cilëve do t`ju sekuestrohet pasuria. “Ata që kanë marrë dënim për krime të rënda të lidhura me veprimtari kriminale më shumë se sa një vrasje, ata që janë akuzuar për krim të organizuar dhe për krime të rënda të asaj natyre dhe që nuk janë dënuar si rezultat i atyre prokurorëve e gjykatëseve që e kthyen drejtësinë në një pazar, duhet të kthehen një orë e më parë në shënjestrën tonë. Nuk mundet më që ata nga njëra anë, dhe këta të tjerët nga ana tjetër, KÇK t’i gëzojnë pasuritë e tyre. Ofensiva ndaj pasurive të tyre do të jetë thelbi i një procesi pa kthim që do duhet dhe do të nisë një orë e më parë”, tha Kryeministri.

Kryeministri shtoi se ky ligj është duke u diskutuar me partnerët ndërkombëtar, ndihma e të cilëve nuk do të jetë vetëm në aspektin juridik, por i gjithanshëm theksoi Rama. “Kam qenë këtu kur fola për rastin skandaloz të Durrësit dhe u zotova se do t’i sjell kuvendit shumë shpejt një platformë ligjore për tu miratuar dhe për tu kthyer në platformë lufte ndaj krimit dhe KÇK-së. më 25 nëntor unë do t’i prezantoj publikut shqiptar këtë platformë. Do të jetë sfida e vërtetë e këtij kuvendi, që do ndajë ata që janë gati për ta shpallur këtë luftë ose jo. Për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe KÇK, jemi duke diskutuar me ndërkombëtarët. Do të jetë luftë që nuk është parë ndonjëherë. Është një luftë që do të kemi nevojë për ndërkombëtarët. Jo vetëm mbështetje juridike, por në të gjitha anët”, tha Rama.

Skip to toolbar