Finlanda, pro hapjes së negociatave me Shqipërinë

Më të fundit


Finlanda ka premtuar hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në muajin tetor të këtij viti. Gjatë prezantimit të programit të presidencës finlandeze të Bashkimit Europian, kryeministri Antti Rinne tha nëse dy vendet i kanë plotësuar kushtet, atëherë negociatat do të çelen.

Finlanda merr presidencën e Bashkimit Europian për gjashtë muaj dhe ka deklaruar se do të punojë për angazhimin e mëtejshëm të BE-së në Ballkanin Perëndimor, por nuk e konsideron si një nga përparësitë e kësaj presidence.


Në një konferencë për shtyp pas prezantimit të programit të presidencës finlandeze të Bashkimit Europian në seancën plenarë të Parlamentin Europian në Strasbourg, kryeministri Rinne ka bërë të kuptohet, se edhe pse procesi i zgjerimit vazhdon normalisht, ai nuk përbën një urgjencë për presidencën finlandeze dhe Bashkimin Europian, që ka në fokus çështje thelbësore që shqetësojnë të gjithë qytetarët europianë, si ndryshimet klimaterike dhe ekonomia europiane.

 “Në tetor ne do diskutojmë lidhur me procesin e zgjerimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë. Shpresoj, që nëse këto dy vende kanë përmbushur kushtet, atëherë të vendosim për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE me të dyja vendet. Por çështja e madhe për ne është se Bashkimi Europian duhet t’i përgjigjet çështjeve që qytetarët evropianë konsiderojnë si të rëndësishme, që kanë të bëjnë me ndryshimet klimaterike. Finlanda dhe Gjermania janë shumë të angazhuara për këtë, por kjo është një çështje ku ne të gjithë si shtete anëtare mund të bëjmë më shumë. Ndaj kjo çështje renditet në prioritetet e programit tonë”, deklaroi kryeministri filandez.

Prioritetet e presidencës finlandeze, që kryeson Bashkimin Europian deri në fund të dhjetorit të 2019 ka të bëjnë me forcimin e pozicionit të Bashkimit Europian si lider global për masat kundrejt ndryshimeve klimaterike, forcimin e vlerave të përbashkëta dhe shtetit ligjor të kësaj organizate, ta bëjë Bashkimin Europian më konkurrues dhe gjithëpërfshirës në aspektin social, si edhe të forcojë sigurinë e qytetarëve të Bashkimit Europian.




Skip to toolbar