“Fjalën e ka sovrani!” Por çfarë mendojnë shqiptarët si zgjidhet kriza? Konsensus dhe marrëveshje

AKTUALITET


Opozita ka lajmëruar zhvillimin të shtunën në mbrëmje të protestës së tetë kombëtare.

Në fjalimin përmbyllës të protestës së shkuar, kreu i opozitës dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se “më 8 qershor fjalën e ka sovrani”. Por si e sheh populli shqiptar daljen nga kriza e brendshme politike? Deutsche Welle i ka drejtuar mikrofonin shqiptarëve të thjeshtë dhe i ka pyetur se çfarë mendojnë dhe çfarë duan. Një gjithë i lidh të gjithë, marrëveshje dhe konsensus.

“Vështirë e ka që Shqipëria të dalë nga kriza politike. Mendimi im është po Rama është e mirë të evuitojë këtë krizën të japë dorëheqjen dhe të lërë një qeveri tranzitore, për të mirën e vendit, jo për ndponjë gjë, pastaj mbrapa ai mund ta marrë prap pushtetin. Por për të eliminuar gjithë këtë rrëmujë, këtë kaos, këtë arashi që ka vendi mirë është që Rama të tolerojë”, thotë një nga të intervistuarit.

“Unë Edi Ramën e dua shumë, nuk e di sesi do dalë, por ishalla dalin mirë, ndoshta bëjnë një marrëveshje tjetër Rama me Basha”, shprehet një zonjë.

“Vetëm me konsensus, asgjë tjetër, vetëm konsensus të dyja palët. Mendimi im ky është”.

“Lë të merren vesh. Ne s’merremi vesh. Ç’të bëjmë. Pa bisedime nuk bëhet kjo. Nuk bëhet me autoritarizëm kjo gjë, njëra kështu, tjetra ashtu. Të bëhet marrëveshje”, thotë një tjetër i intervistuar.

Shumica prej tyre kërkojnë marrëveshje dhe bisedime, por ka dhe nga ata që mendojnë ndryshe.

“Duke hequr këto politikanë të korruptuar. Vetëm kjo është zgjidhja më e drejtë. Ne çfarë s’dëgjojmë. Vjen një palë janë të korruptuar. Vjen tjetra janë të korruptuar. Të gjithë akuzojnë njëri-tjetrin. Asnjë s’përfundon atje ku duhet të shkojë. Po nuk ikën qeveritarët e korruptuar Shqipëria asnjëherë s’mund të shkojë në asnjë vend”, thotë një tjetër i intervistuar.

Ndërsa një tjetër mendon se zgjidhjen e kanë në dorë vetëm shqiptarët dhe jo bota.

“Të bashkohet forcat politike. T’i lënë menjëanë mëritë me njëri tjetrin. Të futen në votime. Kjo është që Shqipëria të ecë përpara. Sepse po mos bëjmë vetë, bota, është e vështirë”.



Skip to toolbar