Ka vetëm një mënyrë për të ‘fituar’ prej raportit të OSBE/ODIHR

Nga Astrit Patozi

Zgjedhjet e 30 qershorit ishin edhe më të këqija, se sa ato përshkruhen në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Dhe këtu nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur, sepse afro 250 vëzhgues të huaj nuk mund t’i shihnin dhe konstatonin të gjitha shkeljet në një proces zgjedhor problematik dhe tërësisht të zhbalancuar, i cili kishte nisur mbrapsht që në çastin kur disa forca kryesore politike morën vendimin për të bojkotuar. Por ky raport realist nuk të jep shumë mundësi për t’u krenuar, sepse është njësoj sikur dikush të fërkojë duart se i doli fjala që e zuri ujkun duke ngrënë, pasi më parë i kishte varur atij mëlçitë në qafë.

30 qershori është një histori për t’u harruar, si për ata, që nuk po i gëzohen dot fitores “publiçitare” të 61 bashkive, të cilët dëshmuan se i vjedhin votat edhe kur nuk kanë fare kundërshtar përballë, po ashtu edhe për të tjerët, që po thonë se kanë fituar me 85 qind, mëgjithëse nuk morën pjesë në zgjedhje fare. Raporti nuk e thotë, por e lë të nënkuptohet qartë, se të dyja palët janë pjesë e përgjegjësisë për produktin dhe rezultatin e deformuar të 30 qershorit. Natyrisht, secili mund të shkëpusë prej raportit vetëm paragrafët, që i pëlqejnë apo interesojnë, dhe kjo ka ndodhur pothuajse gjithmonë me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për Shqipërinë.

Por kjo nuk e ndryshon fare nevojën emergjentë të vendit për të lënë pas një epokë të palavdishme dhe shumëvjeçare me zgjedhje të manipuluara për shkak të sistemit tonë politik, i cili ndodhet në fazën fundore të degradimit. Raporti OSBE/ODIHR-it është një arsye më shumë se përse kjo qeveri nuk meriton të qëndrojë asnjë ditë të vetme në pushtet, por në një vend të lirë ky objektiv arrihet vetëm përmes zgjedhjeve. Ndaj edhe ai nuk mund të shërbejë kurrësësi si një justifikim për të përligjur mospjesmarrjen në procesin e shumë debatuar të 30 qershorit, dhe aq më pak si një shtysë për teka apo trille të tjera, që mund të dalin për të shmangur apo shtyrë zgjedhjet e radhës.

Shqipëria po vuan sot pasojat e një krize të fortë përfaqësimi, të cilën 30 qershori, për shkak të kontekstit politik të paprecedent, e theksoi edhe më shumë. Dhe e vetmja rrugë për ta zgjidhur krizën politike në një vend demokratik është vota. Nëse duam që raportin e OSBE/ODIHR-it ta lexojmë me realizëm duhet të nisim që sot betejën për zgjedhje të parakohshme, sepse nuk ka më dilema për kalbëzimin e plotë të “Rilindjes”, si filozofi dhe si praktikë qeverisëse. Por, sigurisht, që zgjedhjet e reja nuk do të kishin asnjë kuptim pa një reformë të plotë dhe rrënjësore, e cila në radhë të parë duhet të çrrënjosë pushtetin absolut të kryetarëve të partive, duke mos u dhënë praktikisht asnjë mundësi njerëzve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Ne nuk kemi nevojë edhe për një palë zgjedhje të tjera të dështuara për t’u bindur se komisionet e votimit dhe të numërimit, duke filluar që nga KQZ-ja, nuk mund të lihen prapë në mëshirën e miilitantëve politikë dhe për këtë mjafton të lexojmë raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it. Oferta e qartë dhe e detajuar për një sistem të ri politik, që nis me zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës dhe vijon me një reformë të thellë zgjedhore, duhet të jetë hapi i parë i opozitës për t’i dhënë vendit një zgjidhje afatgjatë për këtë krizë të rëndë politike. Në rast se kjo gjë nuk ndodh, gjithkush në Shqipëri ka të drejtë të mendojë se edhe opozita është e interesuar për ta ruajtur statuskuonë e kryetarokracisë dhe se ajo thjesht po pret kohën se mbase një ditë mund të vijë në pushtet, për të gëzuar të njëtat privilegje kushtetuese dhe ligjore, të cilat prej 6 vjetësh po i keqpërdor, jo pa sukses, Edi Rama.

Alfred Lela: Basha, ky lider vetmitar

Nga Alfred Lela

Lulzim Basha është thirrur në Prokurori, me kërcënimin ‘të marrim forcërisht’, mu në kulm të betejës së tij më të madhe politike. Ky protagonizëm dhe kërcënim që Basha po i bën sistemit, merr edhe përgjigjet reciproke nga kundërshtarët e tij politikë brenda sistemit. Asnjë alarm, kjo është natyra e politikës, por kjo nuk ka pse të na ndalë të flasim për psetë.

Është e ndershme të themi një gjë: Lulzim Basha është lideri më ‘i vetmuar’ i tranzicionit shqiptar. Kjo, e thënë në një kuptim të tipologjisë. Ai është i vetmuar në premisa fizike-institucionale: ka dalë nga parlamenti bashkë me deputetët e tij; si dhe është mu në buzë të humbjes edhe të vjegës së fundit që e mban të lidhur me çfarëdo lloj pushteti: bashkitë, këshillat bashkiakë dhe njësitë administrative. Po në tipologji, në një krahasim të shpejtë, Basha është i ndryshëm nga liderët e deritashëm të Shqipërisë. Me siguri ai është më pak (ose aspak) komunisti nga të gjithë.

Aleatët e mëdhenj të Shqipërisë që kanë qenë mbështetësit e tij kryesorë, amerikanët, i ka ‘kundra’, për arsye që ndoshta nuk kanë të bëjnë me të. Për arsye që janë, sa të jashtme, kanë të bëjnë me projeksionin amerikan në Ballkan dhe në botë, sa edhe të brendshme, kanë të bëjnë me pozicionin e Bashës në skakierën danteske të spektrit politik shqiptar.

Pavarësisht këtyre premisave, apo këtij konteksti, apo bash prej tyre, Lulzim Basha është në krye të kësaj beteje që mund të jetë edhe lufta e tij finale. Më datë 17 ai është thirrur në Prokurori ‘në emër të Republikës’ dhe të akuzës së saj. Vetëm në dukje kështu.

Në tekstin dhe kontekstin e asaj thirrjeje është pikërisht shpjegimi ‘i vetmisë’ së Bashës. Prokuroria dyshon se ka qenë pikërisht Basha, dhe lidhjet e tij në Prokurori dhe media, që ua ka ‘nxjerrë bojën’ duke publikuar në gazetën gjermane BILD një pjesë të regjistrimeve të dosjes ‘339/1. BILD-Leaks ka qenë goditja më e madhe që ka marrë Prokuroria shqiptare, që kur në krye të saj erdhi Arta Marku. Një goditje edhe më të fortë, dhe po aq të drejtpërdrejtë, ka marrë edhe qeveria dhe pushteti i kryeministrit Edi Rama.

Këto dy instrumente të pushtetit janë bërë bashkë për të krijuar një kohezion regresiv, dëmtues, anti-demokratik dhe hakmarrës, dhe për të goditur kryetarin e Opozitës. Në proces ata edhe janë vetëgoditur, sepse kanë zbuluar publikisht atë që po publikisht thuhet, se z. Rama e ka në dorë Prokurorinë, e përdor atë për qëllimet e tij, e me radhë.

Jo vetëm BILD-Leaks e ka kreshpëruar qëllimin e Prokurorisë kundër Bashës dhe eksponentëve të tjerë opozitarë, por edhe ‘pritja’ që Opozita i ka bërë betimit në Parlament të kryeprokurores së Përkohshme të Përgjithshme, Arta Marku. Sistemi, që kryeministri preferon ta quajë ‘të ri’ duket sikur është ngritur për t’i dalë kundër politikanit më të ri të tranzicionit, atij më pak komunistit, me më pak lidhje me të shkuarën i cili, ndryshe nga shumë, është futur në politikë me dy lekë në xhep, me lekët e tij.

Meqë jemi te financat, dhe meqë amerikanët përsërisin shpesh ‘nëse do të zbulosh diçka, ndiq gjurmën e parasë’ (follow the money), duhet bërë pikërisht kjo edhe këtë herë. Duhen ndjekur paratë. Para që kanë shkuar në drejtim të Amerikës, si formë lobimi për kongresmenë, senatorë apo njerëz të Shtëpisë së Bardhë. Lulzim Basha ka dashur një ‘pamje’ favorizuese të administratës amerikane për Partinë Demokratike dhe kauzat e saj, por ta pret mendja, edhe Shqipërinë. E bëjnë këtë të gjitha qeveritë, opozitat dhe kompanitë në botë. Aksesi te administrata amerikane është monedha me vlerën më të lartë në botë.

Edhe pse Basha nuk ka arritur, me sa duket, ta sigurojë këtë ‘favorizim amerikan’, nuk ka dyshim: këto janë paratë që Basha dhe Partia Demokratike kanë shpenzuar më mirë në jetën e tyre. Qëllimi ka qenë bindja e vendit më demokratik të botës, partnerit më të mirë dhe më të fortë të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, për të dëgjuar një zë. Të gjithë të vegjlit e botës, të gjitha minorancat e kanë bërë këtë. Dhe, Amerika, shpesh, është vonuar, por kurrë nuk ka harruar.

Bugajski : Trazirat nëse ndodhin, kanë sponsor Rusinë

Nga Janush Bugajski 

Rusia do të jetë përfituesi kryesor ndërkombëtar nëse Shqipëria do të përfshihej nga konfliktet e brendshme dhe paqëndrueshmëria. Krizat politike të cilitdo shtet evropian e bëjnë Moskën të ‘lulëzojë’. Sepse kur institucionet dobësohen, ligji dhe rendi prishen, fraksionet politike në konflikt bëhen më të hapura ndaj ndihmës të të huajve, dhe fuqitë perëndimore janë të përfshira në menaxhimin e konfliktit, Rusisë ka mundësinë të rrisë ndikimin e saj.

Nga pikëpamja propagandistike dhe e dezinformimit, Rusia do ta përshkruajë dhunën politike ose rënien institucionale në Shqipëri, si një dështim tjetër të Perëndimit. Një skenar i tillë shkatërrues do të përdoret nga Kremlini për të përforcuar mesazhin se anëtarësimi në NATO nuk mund të garantojë siguri dhe se Bashkimi Evropian nuk mund të promovojë zhvillim.

Mediat në pronësi të Rusisë, vizitorët në shtetet perëndimore dhe influencuesit pro-Moskë në një numër të madh rrjetesh sociale do të hedhin dyshime duke nënvlerësuar nevojën e vetë vazhdimit të ekzistencës së NATO-s. Ata gjithashtu do të hedhin baltë mbi logjikën e mbajtjes së një marrëdhënieje të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Nëse një Shqipëri vendosmërisht pro-amerikane nuk mund të garantojë sigurinë dhe stabilitetin e saj me ndihmën amerikane, atëherë mund të thuhet se asnjë vend nuk mund të mbështetet te Uashington si te një mik dhe aleat i ngushtë.

Në nivel rajonal, një Shqipëri e paqëndrueshme do të ndihmojë Moskën në fushatën e saj për të destabilizuar dhe delegjitimizuar Kosovën si një shtet të pavarur. Zyrtarët e Kremlinit do të inkurajojnë nacionalizmin serb dhe pretendimet e Beogradit për territorin kosovar me pretekstin e parandalimit të përsëritjes të një skenari si ai i Shqipërisë në Kosovë. Për më tepër, bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin bilateral mund të qëndrojnë pafundësisht ‘të ngrira’.

Kriza në Shqipëri do të përdorej nga Moska edhe për të destabilizuar Maqedoninë e Veriut dhe për të parandaluar hyrjen e saj në NATO. Si mediat ashtu edhe zyrtarët e shtetit rus do të inkurajojnë nacionalizmin maqedonas si një vetëmbrojtje ndaj radikalizimit të supozuar shqiptar dhe do të përpiqen të përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike si dhe të prishin qeverinë e koalicionit në Shkup. Ata do ta quajnë hyrjen në NATO një recetë për konflikt edhe më të madh, i cili nuk mund të parandalojë një sulm potencial mbi kufijtë shtetërorë.

Destabiliteti i Shqipërisë mund të ‘eksportohet’ edhe në Mal të Zi, pasi Putini mund të kërkojë të hakmerret për grushtin e dështuar të shtetit të orkestruar nga ai kundër qeverisë pro-perëndimore në tetor 2016. Militantizmi mund të nxitet brenda të gjithë grupeve etnike si një mënyrë për të dobësuar shtetin malazez dhe suporti ndaj nacionalistëve serbë pro-rusë mund intensifikohet.

Që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990, Rusia e ka rritur në mënyrë domethënë sesi praninë e saj diplomatike edhe atë të spiunëve në Shqipëri. Ashtu si në shtetet e tjera evropiane, Moska ndjek rrugën e depërtimit në shërbimet lokale të inteligjencës, shoqatave të biznesit, qarqeve politike, organizatave mediatike, rrjeteve akademike dhe grupeve të shoqërisë civile.

Me ose pa një konflikt të mirëfilltë në Shqipëri, Moska po kërkon të intensifikojë lidhjet e saj me aktorë të ndryshëm politik, ekonomik dhe social, në mënyrë që të ulë mbështetjen për NATO-n dhe BE-në. Në rast krize institucionale apo të kërcënimit të demokracisë në shtetet më pak të mbrojtura të Evropës, Rusia shfrytëzon ato figura politike që kanë më shumë për zemër metodat autoritare të qeverisjes ose sponsorizon grupe të armatosura të vetë-mbrojtjes në pjesë të ndryshme të vendit, me qëllim minimin e qeverisë. Nëse autoriteti shtetëror (i vendit në fjalë) dëmtohet, Moska, madje, mund të interferojë si forcë ndërmjetëse ose paqeruajtëse.

Shqipëria sigurisht që nuk ka imunitet  ndaj parave të korrupsionit apo depërtimit të organizatave kriminale të lidhura me shërbimet e inteligjencës ruse. Ata do të përdorin shansin e pasigurisë politike, trazirave sociale dhe të një sistemi të dobët ligjor për të zgjeruar shtrirjen e tyre, dhe për t’i dhënë ryshfet ose për t’i shantazhuar shënjestrat e tyre politike.

Një objektiv i rëndësishëm i ndërhyrjes ruse në Ballkan janë të rinjtë që kanë pak ose aspak kujtime të komunizmit apo sovjetizmit. Ata janë më të prirur sesa gjeneratat më të vjetra ndaj dezinformimit të Moskës nëpërmjet stimujve financiarë dhe turizmit politik. Kjo është një metodë si e predikuesve selefistë që i futin myslimanët e rinj fetarë në rrjetet e tyre të propagandës anti-perëndimore dhe aktivizmit të dhunshëm.

Për shembull, ambasada ruse në Tiranë kultivon lidhje sociale dhe kulturore me të rinjtë e talentuar shqiptarë dhe po i ushqen ata si mbështetës të ardhshëm të politikave të Kremlinit. Kjo është e dukshme në programin e “Forumit Ndërkombëtar të Rinisë” të sponsorizuar nga shteti rus. Ky program dërgon të rinj të mirë-arsimuar shqiptarë dhe nga vendet e tjera të Ballkani në Soçi të Rusisë, ku ata marrin një dozë të fortë indoktrinimi, të ngjashme me atë të kohëve sovjetike.

Moska, gjithashtu, do të vazhdojë të kërkoje rrugë ndërhyrjeje në mediat shqiptare, duke llogaritur se ajo mund të ulë pro-amerikanizmin e popullit dhe angazhimet politike dhe ushtarake në NATO (të vendit). Pak arritje të Moskës në Ballkan mund të ishin më të mëdha sesa kthimi i Shqipërisë nga një aleat i besueshëm i Amerikës në një komb të paqëndrueshëm me konflikte të brendshme, në të cilin NATO nuk mund të ketë më besim dhe të cilin BE nuk e do.

“Fjalën e ka sovrani!” Por çfarë mendojnë shqiptarët si zgjidhet kriza? Konsensus dhe marrëveshje

Opozita ka lajmëruar zhvillimin të shtunën në mbrëmje të protestës së tetë kombëtare.

Në fjalimin përmbyllës të protestës së shkuar, kreu i opozitës dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se “më 8 qershor fjalën e ka sovrani”. Por si e sheh populli shqiptar daljen nga kriza e brendshme politike? Deutsche Welle i ka drejtuar mikrofonin shqiptarëve të thjeshtë dhe i ka pyetur se çfarë mendojnë dhe çfarë duan. Një gjithë i lidh të gjithë, marrëveshje dhe konsensus.

“Vështirë e ka që Shqipëria të dalë nga kriza politike. Mendimi im është po Rama është e mirë të evuitojë këtë krizën të japë dorëheqjen dhe të lërë një qeveri tranzitore, për të mirën e vendit, jo për ndponjë gjë, pastaj mbrapa ai mund ta marrë prap pushtetin. Por për të eliminuar gjithë këtë rrëmujë, këtë kaos, këtë arashi që ka vendi mirë është që Rama të tolerojë”, thotë një nga të intervistuarit.

“Unë Edi Ramën e dua shumë, nuk e di sesi do dalë, por ishalla dalin mirë, ndoshta bëjnë një marrëveshje tjetër Rama me Basha”, shprehet një zonjë.

“Vetëm me konsensus, asgjë tjetër, vetëm konsensus të dyja palët. Mendimi im ky është”.

“Lë të merren vesh. Ne s’merremi vesh. Ç’të bëjmë. Pa bisedime nuk bëhet kjo. Nuk bëhet me autoritarizëm kjo gjë, njëra kështu, tjetra ashtu. Të bëhet marrëveshje”, thotë një tjetër i intervistuar.

Shumica prej tyre kërkojnë marrëveshje dhe bisedime, por ka dhe nga ata që mendojnë ndryshe.

“Duke hequr këto politikanë të korruptuar. Vetëm kjo është zgjidhja më e drejtë. Ne çfarë s’dëgjojmë. Vjen një palë janë të korruptuar. Vjen tjetra janë të korruptuar. Të gjithë akuzojnë njëri-tjetrin. Asnjë s’përfundon atje ku duhet të shkojë. Po nuk ikën qeveritarët e korruptuar Shqipëria asnjëherë s’mund të shkojë në asnjë vend”, thotë një tjetër i intervistuar.

Ndërsa një tjetër mendon se zgjidhjen e kanë në dorë vetëm shqiptarët dhe jo bota.

“Të bashkohet forcat politike. T’i lënë menjëanë mëritë me njëri tjetrin. Të futen në votime. Kjo është që Shqipëria të ecë përpara. Sepse po mos bëjmë vetë, bota, është e vështirë”.

Skip to toolbar