Frika nga Vettingu rrit numrin e hetimeve të prokurorisë

#NËRADAR


Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, deklaroi një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve se viti 2018 ka qenë një vit jo i zakonshëm për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët për shkak të fillimit të procesit të Vettingut. Këtë deklaratë, duke justifikuar disi punën e tyre, e bëri gjatë prezantimit të raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme në Komisionin e Ligjeve.

Por duket se presioni i ushtruar ndaj prokurorëve për procesin e Vettingut, ka qenë pozitiv për publikun, pasi pavarësisht mungesave, ngarkesës dhe shkarkimeve të tyre, Prokuroria ka rritur numrin e dosjeve të dërguara në gjykatë gjatë vitit 2018.


Pra vihet re qartë se pavarësisht kohës dhe numrit të kufizuar të prokurorëve për të kryer hetime, impenjimi i tyre ka qenë më intensiv. Kjo bazuar në deklaratën e kryeprokurores Marku, e cila tha se “që kur ka filluar procesi i vettingut, shumë prokurorë kanë qenë gjatë gjithë vitit në kontakt të vazhdueshëm me KPK-në, nëpërmjet pyetësorëve, janë bërë shumë shkarkime”. “Është folur shumë për këtë dhe të gjithë kemi qenë dakord se ky proces, ka qenë i domosdoshëm, por ka qenë i pashmangshëm ndikimi negativ tek prokurorët, pasi i ka bërë apatikë dhe të pasigurt”, deklaroi ajo.

Ndërsa në raport vihet re se vërtetë nuk ka ndonjë rritje të konsiderueshme, por puna e prokurorisë ka shënuar progres në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017.

Konkretisht, sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë vitit 2018 janë përfunduar 30615 çështje, nërkohë që në vitin 2017 janë përfunduar 30036 çështje, ose thënë ndryshe 579 çështje më shumë. Nga këto, 38.5 për qind janë dërguar për gjykim, 21,7  për qind janë pushuar, 35,6 për qind janë pezulluar dhe 4,2 % janë transferuar në prokurorinë kompetente.

Por nuk është rritur vetëm numri i çështjeve të hetuara, pasi rezulton se është rritur ndjeshëm edhe numri i çështjeve të dërguara në gjykatë. “Konkretisht në vitin 2018 janë dërguar në gjykatë 11790 çështje, ndërkohë që në vitin 2017 janë dërguar në gjykatë 11492 çështje, ose e thënë ndryshe 298 çështje më shumë.

Megjithatë, nga reforma në drejtësi vihet re se ka edhe probleme, pasi prokurorët duket se janë më të tkurrur për të nisur hetime kryesisht. Pas reformës në drejtësi, fillimi i çështjeve kryesisht është një atribut i çdo prokurori dhe jo më i drejtuesit të prokurorisë e aq më pak i Prokurorit të Përgjithshëm.

Pra duket se prokurorët për t’i shpëtuar ndonjë penalizmi nga vonesat e hetimeve kanë preferuar më mirë të përfundojnë çështjet e kallëzuara nga qytetarët apo institucionet se sa të nisin hetimet vetë për çështje të caktuara që mund të vijnë nga denoncime publike apo rrethana të tjera.




Skip to toolbar