Gafa mediokre, Austria ‘tallet’ me Shpresat e Shqipërisë

SPORT


Pas humbjes në ndeshjen miqësore me Francën, ekipi Shpresa i drejtuar nga Alban Bushi është mundur me rezultatin e thellë 0-4 nga Austria, në ndeshjen kualifikuese. Në takimin kundër Austrisë, që 21-vjeçarët e luajtën në Durrës, skuadra jonë kombëtare ka treguar dhe njëherë dobësitë që ka ekipi. Pika më e dobët mbetet mbrojtja dhe gabimet amatore. Kështu është shkaktuar goli i parë në minutën e 6-të sfidës, kur Raguz përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe shënon në portën e Selmanit.

Më pas është Lovriç, që vetëm tre minuta pas golit të parë, përfiton nga një tjetër gafë e kuqezinjve në repartin e prapavijës dhe dyfishon për skuadrën austriake. Skuadra e Bushit mundohet të reagojë në minutat në vijim, me Muçollin që kërkon të shkojë në portën kundërshtare, por pa shfaqur asnjëherë rrezik real. Me rezultatin 2-0 për Austrinë mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që në të dytën janë përsëri miqtë ata që shënojnë. Në minutën e 72`, mbrojtësi i kombëtares, Bajramaj, i dhuron një top kundërshtarit, me Baumgartner që realizon golin e tretë për skuadrën austriake.

Nuk vonon më shumë se një minutë dhe vjen gafa e radhës. Një humbje topi në mesfushë nga lojtarët tanë, bën që Lovriç të niset drejt portës së Gentian Selmanit, dhe të realizojë golin e katërt, duke vulosur shifrat në 0-4 për Austrinë. Me fitoren e të hënës, skuadra e Austrisë U-21 ngjitet në vendin e parë me 6 pikë, po aq sa Kosova që mban vendin e dytë. Ndërkohë ekipi ynë U-21 ka vetëm 3 pikë në katër ndeshje të luajtura, duke mbajtur vendin e 5-të në renditje me 1 pikë më shumë se Andorra.



Skip to toolbar