Gafat largojnë Shkëndijën nga Champions League

CHAMPIONS LEAGUE


Shkëndija e Tetovës e ka mbyllur aventurën në Champions League, pasi është eleminuar në turin e parë kualifikues nga Kalju i Estonisë. Skuadra e shqiptarëve të Tetovës, nuk arriti të ruante avantazhin 1-0 të ndeshjes së parë në transfertë, duke humbur në shtëpi me rezultatin 1-2 kundër skuadrës estoneze, e cila në fakt bëri një surprizë të madhe në këtë kompeticion.

Miqtë e nisën mirë takimin duke ndëshkuar Shkëndijën në minutën e 6`. Ishte Klein që kaloi të tijët në avantazh, pasi shënoi me kokë pas një gjuajte nga goditja e këndit. Me avantazhin e miqve u mbyll pjesa e parë, pavarësisht tentativave të herë pas hershme të Shkëndijës për të gjetur golin. Pas pushimit, skuadra “kuqezi” tregon më shumë dëshirë në fushë, duke sulmuar portën kundërshtare.

Në minutën e 62`, erdhi dhe momenti i golit të barazimit për Shkëndijën, që fiton një penallti. Ibraimi nuk gabon nga pika e bardhë dhe vendos barazpeshën në fushën e lojës. Megjithatë, miqtë nuk dorëzohen dhe kërkojnë golin e kualifikimit deri në fund.

Kështu, në minutën e parë shtesë pas kohës së rregullt, një gafë e portierit të ekipit tetovar, bëri që Kalju të kalonte përsëri në avantazh me Liliu, duke u kualifikuar për në turin e dytë të Champions League. Ndërkohë, Shkëndija e mbyll me kaq aventurën në Champions.



Skip to toolbar