Me anë të një shkrese zyrtare dërguar PD-së, Prokuroria e Përgjithshme vërtetoi të hënën se kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku, ishte i njëjti person me Jorgo Toto, i arrestuar dhe hetuar vite më parë në Greqi.
Veç PD-së, Realstory.al mësoi se të hënën Prokuroria i kishte dërguar shkresë zyrtare edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku vërtetohet se Kajmaku ka deklaruar të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit, duke u bërë kështu subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Tashmë KQZ është vënë në lëvizje, ku pritet që të merret vendimi për shkarkimin ose jo të kryebashkiakut të Vorës. Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja është shprehur për A2 CNN se Kajmaku do të trajtohet sipas ligjit, pasi askush nuk është mbi të.
“Rasti Kajmaku do të trajtohet sipas ligjit. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin e dekriminalizimit. Janë çështje që i kemi sqaruar që kur ka hyrë në fuqi ky ligj. Partia Socialiste e ka kryer detyrimin e saj ditën kur ka votuar me konsensus të plotë bashkë me opozitën ligjin e dekriminalizimit”, tha Ulsi Manja. Ndërkohë, të martën u njoftua se Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet për Agim Kajmakun, i cili rrezikon deri në 4 vite burg.