Gent Cakaj në Gjermani merr mbështetje për çeljen e negociatave

POLITIKË


Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka shpërndarë një informacion të zgjeruar në lidhje me vizitën zyrtare që është duke zhvilluar në Gjermani, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Ai është takuar me disa deputetë gjermanë, prej të cilëve ka marrë mbështetje për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Konkretisht, Ministri në Detyrë Cakaj u takua me Norbert Röttgen, Kryetari  i Komitetit Parlamentar për Politikën e Jashtme në Bundestag, me Katrin Staffler, Reportere për Shqipërinë në Komitetin për Çështjet Evropiane, me Thomas Hacker nga Demokratët e Lirë (FDP), njëkohësisht dhe Raporter i FDP për Shqipërinë, me Patrick Sensburg, Kryetar i Komitetit të Shqyrtimit të Zgjedhjeve, Imunitetit dhe Procedurave ligjore, në Bundestag dhe me Manuel Sarrazin, Reporter për Shqipërinë,  Përfaqësues i të Gjelbërve në Komitetin e Çështjeve Evropiane në Bundestagun gjerman.


Ministri në Detyrë Cakaj shprehu vlerësimet maksimale për angazhimin e Gjermanisë dhe vëmendjen e kushtuar ndaj Shqipërisë, çka demonstrohet nga fokusi i shtuar i Bundestagut dhe numri i lartë i vizitave të  parlamentarëve gjermanë në vendin tonë.

Ministri në Detyrë Cakaj u paraqiti përfaqësuesve të Bundestagut, një tablo të detajuar të ecurisë së deritanishme të procesit të vetingut dhe reformës në drejtësi, rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe bashkëpunimit të ngushtë me agjencitë ligj zbatuese të vendeve partnere.

Ministri në Detyrë Cakaj u kërkoi përfaqësuesve të Bundestag-ut vazhdimin e mbështetjes ndaj Shqipërisë në rrugëtimin e procesit të saj transformues,  në kuadër të çeljes së negociatave për anëtarësim, bazuar në meritë dhe në përmbushje të procesit të reformave.

Në takimin me Norbert Rottgen, ky i fundit rikonfirmoi idenë dhe bindjen e tij se BE-ja nuk është e plotësuar pa Ballkanin Perëndimor, duke siguruar mbështetjen për negociatat dhe nxitjen e procesit.

Gjatë takimit me Hacker, bashkëbiseduesit ndanë mendimin se koncepti dhe interesi i përbashkët evropian nënkupton një rajon të integruar, të qëndrueshëm dhe të sigurt, por në këtë drejtim perspektiva e integrimit në BE, është një promotor i shkëlqyeshëm për kapërcimin e nacionalizmave dhe konflikteve të së shkuarës në Ballkan.

Ndërkohe që Patrick Sensburg, shprehu vlerësimin e tij për ecurinë e proceseve integruese dhe theksoi rëndësinë e  promovimit të arritjeve të Shqipërisë jo vetëm me zyrtarët publikë në Gjermani por edhe me qytetarët gjermanë, për të kuptuar proceset e rëndësishme që po ndërmerr Shqipëria, si dhe efektet që kanë këto procese edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Në takimin e Ministrit në Detyrë Cakaj me Manuel Sarrazin, ky i fundit u shpreh se Komisioni Evropian dhe politika gjermane duhet të marrin sa më parë një vendim pozitiv për Shqipërinë, për t’i mundësuar asaj një perspektivë të qartë e të besueshme evropiane, si e vetmja alternativë e qenësishme për vendin.

Deputeti e njëkohësisht reporteri për Shqipërinë, Sarrazin, vlerësoi shkëmbimin e informacionit konkret dhe të detajuar sa i takon reformave të ndërmarra në Shqipëri dhe u shpreh se jo vetëm personalisht, por edhe në emër të së Gjelbërve, e mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Në përgjigje të kësaj fryme pozitive dhe tejet inkurajuese të përfaqësuesve të Bundestagut gjerman, Ministri në Detyrë Cakaj vlerësoi Gjermaninë si një partnere kryesore që ka qenë dhe mbetet luajale ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike në rajonin e Ballkanit, pa mbështetjen e së cilës, procesi i integrimit nuk do të ishte i mundur për asnjë nga vendet e rajonit tonë.

Ministri Cakaj u rikonfirmoi të gjithë përfaqësuesve të Bundestagut, vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me ritmet e duhura për konsolidimin e reformave kyçe dhe përgatitjet për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.




Skip to toolbar