Gjermania nis “Javën e vaksinimit”

CORONAVIRUS


Gjermania ka nisur të hënën një fushatë kombëtare të vaksinimit, me qëllim të rritjes së shkallës së imunizimit para stinës së dimrit.

Përveç vendeve të caktuara tashmë, tani njerëzit do të mund të marrin vaksina pa bërë termine paraprakisht në disa lokacione brenda shtetit, përfshirë disa biblioteka, qendra tregtare dhe xhami.


Ministri për Kancelari, Helge Braun, ka thënë të dielën se këto qendra për vaksinim do të mbesin të hapura edhe në javët e ardhshme.

Koha e fushatës së vaksinimit synon që të shmangë shkallë më të madhe të infektimeve në stinën e dimrit, ka thënë ai.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u ka bërë thirrje qytetarëve që të përfitojnë nga këto mundësi.

“Vaksinimi nuk ka qenë kurrë më i lehtë. Kurrë nuk ka qenë më shpejt”, ka thënë ajo, në një video të publikuar të dielën.

Vaksinat do të ofrohen edhe në stacionet e zjarrfikësve, nëpër tramvaje dhe afër fushave të futbollit.

Aktualisht, rreth 62 për qind e popullsisë në Gjermani është e vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.

Megjithatë, interesimi është raportuar të jetë ulur së fundmi.

Sipas ekspertëve, të paktën 75 për qind e njerëzve duhet të vaksinohen për të ulur ndikimin e valës së katërt të pandemisë, derisa përqindja duhet të jetë më e lartë për ta parandaluar atë./rel




Skip to toolbar