Gjykata Kushtetuese, organi më i lartë i drejtësisë që garanton respektimin e Kushtetutës, aktualisht është jashtë çdo funksioni. Puna për ngritjen dhe funksionimin e saj ka nisur dhe në fillim të gushtit emrat e kandidatëve të parë pritet t’i drejtohen Kuvendit dhe Presidentit për përzgjedhjen e 3 kandidaturave secili. Lajmin e bëri të ditur kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani i cili tha se KED do të mblidhet të mërkurën për të marrë në shqyrtim kandidatët e parë dhe më pas t’i çohen Kuvendit dhe Presidentit. Në listë janë 14 kandidatë që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e trupës së Gjykatës Kushtetuese.
“Në fillim të gushtit mund të dërgojmë renditjen përkatëse të kandidaturave tek Kuvendi dhe Presidenti dhe për një muaj ato kanë të drejt të punojnë me procedurën e tyre. Edhe në rast se ato nuk arrijnë të gjejnë shumicën e nevojshme , ose vlerësojnë të mos shprehen me vendimmarrje përkatëse, ligji dhe kushtetuta parashikojnë mekanizmin që ky proces të mos bllokohet për të zgjedhur kandidatët dhe gjyqtarët e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese.” – tha Dvorani për mediat.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë dhe aktualisht ka vetëm një. Ajo është në pritje të plotësimit të vakancave të saj për nisjen nga puna. Për shkak të procesit të vettingut, anëtarët e kësaj gjykatë janë përjashtuar nga drejtësia ose kanë dhënë dorëheqjen duke shmangur procesin e rivlerësimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive në punë.
Kjo Gjykatë pritet të bëhet funksionale në fillim të shtatorit dhe se çështja e parë që pritet të diskutojë është shkarkimi i presidentit Meta, e miratuar në Kuvend me kërkesë të Partisë Socialiste . Një tjetër kërkesë e dërguar në Kushtetuese është edhe ajo e Shoqatës së Bashkive, e kryesuar nga Voltana Ademi për të shpallur procesin e 30 qershorit antikushtetues.