Gjyqtarët “ngelës” në vetting duan sërish pasaporta diplomatike

AKTUALITET


Gjyqtarët e shkarkuar nga vettingu për shkak të shkeljeve të ndryshme, nga ato financiare, deri te ato profesionale, nuk heqin dorë nga përfitimet që kanë pasur nën petkun e funksionit që kryenin. Një prej këtyre përfitimeve është edhe pasaporta diplomatike, e cila u është hequr me iniciativë të ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj dhe me vendim të qeverisë.

Por, këtë vendim gjyqtarët e prekur e kanë atakuar në gjykatë me një padi nga shoqata kombëtare e gjyqtarëve të Shqipërisë.

“Sot, me datë 11.07.2019, dorëzuam në Gjykatën Administrative të Apelit padinë kundër Këshillit të Ministrave, me objekt shfuqizimin e Vendimit nr. 389/2019, për pjesën që anulon pasaportat e shërbimit të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit dhe për pjesën që heq të drejtën e tyre të pajisen me pasaporta shërbimi. Dëshiroj të sjell në vëmendje një pjesë nga Vendimi nr. 40/2014 të Gjykatës Kushtetuese mbi interpretimin e nenit 138 të Kushtetutës: ‘Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Formulimi i togfjalëshit ‘përfitime të tjera është i një natyre të përgjithshme dhe nuk konkretizon në mënyrë shteruese rrethin e përfitimeve të gjyqtarëve. Kushtetutë bërësi, jo pa qëllim e ka lënë të hapur kuptimin që i duhet dhënë rrethit të përfitimeve, pasi ka synuar të përfshijë në tërësinë e të drejtave që gjyqtarët i gëzojnë në funksion të ushtrimit të detyrës së tyre’, deklarohet në padinë e depozituar në Gjykatën e Tiranës.

Por, pavarësisht se gjyqtarët kanë shfrytëzuar hapësirat ligjore për gjyqtarët në detyrë, në vendimin e qeverisë deklarohet se u privohet kjo e drejtë gjyqtarëve, të cilët nuk kanë kaluar vettingun.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, ka deklaruar se nga ky vendim janë 350 pasaporta diplomatike, pasi janë marrë në mënyrë abuzive, saqë edhe një shofer institucioni ishte pajisur me pasaportë të tillë.

Mes personave që u janë hequr pasaportat diplomatike, janë ish-deputetë që deputetë matanë legjislaturës së fundit, gjykatës që nuk e kanë kaluar procesin e vettingut dhe shoqërues të personalitete të rëndësishme në vend. Madje, që në fillim të muajit prill, Ministria e Jashtme kërkoi dorëzimin e pasaportave diplomatike nga të tria këto kategori, sepse ato do të bllokohen menjëherë.



Skip to toolbar