“Dhurata e vogël” për bizneset e mëdha

EKONOMI


Eduard Zaloshnja, PhD

Deri në vitin 2013, në Shqipëri aplikohej i njëjti tatim 10%, si për fitimet e kompanive, ashtu edhe për dividendet që ato u shpërndanin aksionerëve të tyre. Duke filluar nga 2014-ta, të dyja këto tatime u rritën, duke shkuar në nivelin 15%. Shmangia e tatimit të rritur mbi fitimin do të përbënte një vepër penale për kompanitë, ndërsa shmangia e tatimit mbi dividendin ishte e lehtë, ato thjeshtë mund të mos u shpërndanin dividend aksionerëve të tyre.


Në fakt, ndodhi pikërisht kështu në shumicën e rasteve. Pas një hulumtimi të dokumenteve financiare të 100 kompanive më të mëdha, të publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, më rezultoi se rreth 1.5 miliardë euro fitime të pashpërndara ishin akumuluar deri në fund të vitit 2018 në bilancet e tyre. Për krahasim, në fund të vitit 2013, vetëm 100 milionë euro ishin të pashpërndara në bilancet e atyre kompanive.

Pse kompanitë më të mëdha po i akumulonin fitimet, në vend që t’ua shpërndanin aksionerëve të tyre në formë dividendi?

Siç duket ato kishin shpresë se qeveria do ta ulte tatimin mbi dividendin. Dhe shpresa e tyre u materializua në paketën e fundit fiskale, ku u bë një ndryshim i vogël, tatimi mbi dividendin u ul nga 15% në 8%.

Një nga kompanitë e para që e shfrytëzoi këtë “dhuratë të vogël” të qeverisë ishte Telecom Albania, e cila u shpërndau aksionerëve plot 250 milionë euro dividend. Pas pesë vjetësh durimi, aksionerët e saj do të dalin të fituar, sepse do të paguajnë vetëm 20 milionë euro tatim mbi dividendin, në vend që të paguanin 37.5 milionë euro (me tatimin e vjetër prej 15%).

Me shumë gjasë, kompanitë e tjera të mëdha do të ndjekin të njëjtën strategji. Deri në fund të vitit, 1.5 miliardë eurot e fitimeve të akumuluara mund t’u shpërndahen aksionerëve të kompanive, të cilët do të paguajnë 120 milionë euro tatim mbi dividendin e marrë prej tyre, në vend të 225 milionë eurove që duhej të paguanin me tatimin 15%. Me 105 milionë eurot që qeveria u dhuron aksionerëve të kompanive të mëdha mund të ndërtohen 105 shkolla të reja, për shembull.

Nga pikëpamja makroekonomike, do të kishte më tepër kuptim që qeveria të ulte tatimin mbi fitimin, në vend që të ulte tatimin mbi dividendin. Një tatim mbi fitimin 8% dhe një tatim mbi dividendin 15% do t’i inkurajonte kompanitë ta përdornin fitimin për të investuar në linja të reja biznesi, zgjerim kapaciteti apo teknologji të reja, në vend që ta shpërndajnë atë në formë dividendi.

Kuptohet që investimet e shtuara do të ndikonin në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, të punësimit dhe të të ardhurave buxhetore. Kurse dividendët e shpërndara tek aksionerët mund të shkojnë jashtë Shqipërisë ose në supervilat bregdetare, të cilat përdoren vetëm disa ditë të vitit nga aksionerët e majmur…

Marrë nga revista Follow Business Albania. Përkthyer nga autori




Skip to toolbar