Hamilton i pathyeshëm, triumfon dhe në Kinë

Më të fundit


Lewis Hamilton ka triumfuar mëngjesin e sotëm në garën e Çmimit të Madh të Kinës në Formula 1, garë e zhvilluar në Shanghai. Suksesi i dytë sezonal për pilotin britanik të Mercedes (i gjashti në Kinë në karrierën e tij), që merr edhe kreun e renditjes botërore pas 3 garave të para.

Ashtu sikurse pritej, makina Mercedes e dominoi garën aziatiake, nr.1000 në historinë e Formula 1, ndaj ky triumf i Hamilton është i veçantë, në një garë jubilare. Britaniku mori kreun e renditjes që pas startit të garës, ku parakaloi Valtteri Bottas dhe e ruajti atë deri në fund.


Pikërisht shoku i tij i skuadrës, piloti finlandez i Mercedes, u rendit i dyti, fitorja e tretë e dyfishtë e makinës gjermane këtë Botëror të Formula 1. Në vendin e tretë u klasifikua Sebastian Vettel me Ferrari, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Charles Leclerc, e mbylli garën i pesti.

Mes dy pilotëve te Ferrarit u rendit makina Red Bull e Max Verstappen, ndërsa i gjashti doli Pierre Gasly (Red Bull). Ky i fundit mori një pikë shtesë, pasi realizoi xhiron më të shpejtë të garës.

Për sa i përket garës, ajo nuk pati shumë surpriza, pasi parakalimet në krye ishin me pikatore dhe pilotët në përgjithësi ruajtën pozicionet e tyre.

Pas këtij triumfi, Hamilton ngjitet në krye të renditjes me 68 pikë, 6 më shumë se Bottas. Në tri garat e zhvilluara deri më tani, dy pilotët e Mercedes kanë siguruar gjithnjë dy vendet e para, duke konfirmuar dominimin e makinës gjermane. Gara e radhës së Botërorit më 28 prill, në Azerbajxhan.




Skip to toolbar