Hapja e Covid 4 dhe nevoja për shtretër, Brataj zbulon skenarët për vjeshtën

CORONAVIRUS



Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, përmes një interviste të dhënë për News24, zbuloi skenarët që pritet të ndërmerren nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me varësinë e përhapjes së pandemisë së Covid-19 në muajt në vijim.

Brataj nuk e mohoi skenarin për hapjen e spitaleve të rinj, ku pas Covid 1 dhe 3 mund të hapet dhe Covid 4, ose mund të vihen në shërbim të pacientëve Covid edhe spitalet rajonalë. Sipas mjekut kjo do të ndodhë në varësi të rritjes së infektimeve dhe nevojave për shtretër në spitale.


“Sigurisht nëse burimet në shtretër që ne kemi aktualisht janë drejt ezaurimit, ne kemi skenarët e tjerë për përballimin e pandemisë që konsistojnë dhe në hapjen hapjen e spitaleve të tjerë. Pas Covid 1 dhe 3 mund të hapet 4 ose spitalet rajonale në varësi të situatës”, tha Brataj.

Gjithashtu Brataj u shpreh se te personat e moshuar përgjigjja imunitare pas marrjes së vaksinës është më e dobët dhe kërkon një kohë më të gjatë. Brataj la të hapur mundësinë e vaksinimit me një dozë të tretë për këto kategori, por vetëm pasi të ketë përfunduar vaksinimi me një ose dy doza i qytetarëve.

“Në moshat e treta përgjigjja imunitare është shumë e dobët dhe duhet kohë më e gjatë për të marrë një përgjigje imunitare. Në shumë vënde për këto grupe të veçanta  të riskut parashikohet marrja e një doze të tretë, por unë them që duhet të përfundojë njëherë vaksinimi me një dozë dhe dy doza dhe më pas të kalohet në dozën e tretë për këto raste”, shtoi Brataj.