Reparti Ushtarak 3.362 Kuçovë mbante emrin Reparti “23 Peza”. Ai u krijua si formacion i parë i madh luftarak i Forcave Ajrore për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë.
Bërthama e parë e këtij regjimenti u krijua me vendim të posaçëm, ku u morën masa për përgatitjen e efektivit pilot e teknik për teknikën e re reaktive me të cilën do të pajisej reparti. Krahas këtyre u morën masa për përgatitjen e ambienteve për pritjen e efektivit dhe teknikës.
Pas përfundimit të përgatitjes së efektivit pilot e inxhiniero-teknik, Regjimenti mori formën e plotë, i gatshëm për kryerjen e detyrave.
15 maj 1955 është dita e krijimit të regjimentit.
Me vendim të posaçëm të Kuvendit Popullor Nr.81 datë 06.11.1956, Regjimentit i dorëzohet Flamuri Luftarak me mbishkrimin “Regjimentit 23 të Aviacionit Gjuajtës PEZA“ (botuar në gazetën zyrtare të vitit 1956, faqe 494).
Në janar të vitit 1956 në regjiment filloi përgatitja luftarake e organizuar mbi bazën e një planëzimi të rregullt. Në maj të këtij viti me urdhër të ministrit të Mbrojtjes u krijua nënreparti i ofiçinës së mirëmbajtjes së aviacionit me komandant Daut Gurabardhi, ndërkohë që një pjesë e pilotëve shkuan për studime për helikopterë.
Në korrik të vitit 1957 në këtë aerodrom u ul për herë të parë avioni bombardues JI- 28, i cili hyri në armatimin e Aviacionit tonë Luftarak. Në dhjetor në Kuçovë ulet një avion transporti anglez Skymaster. Me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor për kryerjen me sukses të kësaj detyre u dekoruan pilotët Kosta Dede e Mahmut Hysa, si dhe aviondrejtuesi Shyqyri Balla.
Në muajin shtator 1959 regjimenti mori pjesë në stërvitjen me trupat e armatës në rajonin e Ersekës. Dhe në muajin nëntor regjimenti mori pjesë në paradën ushtarake me rastin e 15-vjetorit të çlirimit të atdheut.
Në muajin prill të vitit 1961, për herë të parë filloi eksperimentimi i karburantit të markës shqiptare i prodhuar nga punonjësit e laboratorit të naftës me në krye inxhinierin Stefan Kagjini. Komandanti i Regjimentit piloti Niko Hoxha me avionin 332 bëri provën e parë në ajër.
Në vitin 1964 në vartësi të regjimentit u krijuan dy reparte të reja, Batalioni i Shërbimit të Aerodromit dhe Grupi i Radio-Dritës.
Në vitin 1965 krijohet skuadrilja e tretë reaktivo-mësimore për përgatitjen e pilotëve, teknikëve të rinj, me komandant pilotin Sali Dibra.
Në fillim të vitit 1966 filluan punimet për ndërtimin e Uzinës së Riparimit të Avionëve, ndërsa në muajin prill reparti pajiset me një skuadrilje MIG-17.
Në gusht të vitit 1975 eksperimentohet për herë të parë qitje natën me raketa, ndërsa në vitin 1977 për herë të parë eksperimentohet bombardimi nga fluturimi horizontal në lartësi të vogël.
Në vitin 1979, në detyrën e komandantit të regjimentit emërohet Harilla Rebi dhe në atë të komisarit Viktor Vangjeli. Po këtë vit u vu në gatishmëri për drejtimin luftarak të regjimentit Vendkomanda e Kohës së Luftës.
Në paradën ajrore me rastin e 35-vjetorit të çlirimit të Atdheut, reparti mori pjesë me 9 avionë.
Në mars të vitit 1981 me ndihmën e efektivit pilot e teknik të repartit, Kinostudio “Shqipëria e re” xhiroi filmin artistik “Gjurmë në kaltërsi”, kushtuar armës së Aviacionit, ku ndihmë konkrete dhanë pilotët Harilla Rebi, Viktor Vangjeli, Agim Balili, Gjergji Spaho, etj, duke kryer një sasi të madhe fluturimesh në funksion të filmit, si dhe duke organizuar e ndihmuar edhe në punët e tjera.
Në vitin 1984 reparti emërohet “Regjimenti 23 i Aviacionit Gjuajtës Bombardues”, ndërsa në vitin 1985 dekorohet me urdhrin “Për shërbime të shquara në fushën e mbrojtjes”.
Në vitin 1995 krijohet Baza e Mbrojtjes Ajrore Kuçovë, Reparti Ushtarak 4030 (ish-1875).
Viti 1999, është viti i kthimit në normalitet, ndërsa në vitin 2001, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, në strukturën e re organizative të Forcave Ajrore, ky repart kalon në Akademia e Forcave Ajrore, duke pasur në vartësi dhe Fakultetin Teoriko-Mësimor Vlorë.
Në vitin 2003 vazhduan punimet nga pala turke në aerodromin e Kuçovës, të cilat përfunduan në kohë sipas planit.
Në vitet në vazhdim si detyrë kryesore ka qenë modernizimi i infrastrukturës për plotësimin e standardeve dhe kushteve të aerodromit të Kuçovës si Host Nation Support Komandant i Bazës Ajrore Kuçovë është nënkolonel Balil Hyseni.
Ja ata që komanduan Bazën e Kuçovës në vite:
Niko Hoxha,Fahri Bubësi, Bardhyl Taçi, Harilla Rebi, Agim Balili, kolonel Fatmir Meçe, nënkolonel Agim Matraku, Gëzim Ismaili, Andon Todri, Tomorr Dyrmo, Flamur Hoxha, Syrja Gjoka.