Ministria e Jashtme ka sqaruar për të gjithë shtetasit shqiptarë se çfarë do të ndodh pas mocionit të parlamentit të Holandës për heqje të përkohshme të vizave për Shqipërinë. Përmes në deklarate për mediat, Ministria e Jashtme sqaron se mocioni i Holandës për t’i kërkuar Bashkimit Evropian inicimin e procedurës për pezullimin përkohshëm të liberalizimit të vizave nuk ndryshon rregullat e lëvizjes drejt vendeve Shengen.
“Shtetasit shqiptarë do të vazhdojnë të lëvizin të lirë drejt vendeve shengen sipas praktikës të derisotme dhe duke plotësuar vetëm kushtet aktualisht në fuqi. Një shtet anëtar i BE mund t’i kërkojë Komisionit Evropian hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE dhe asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë.” – shkruhet në deklaratë.
Megjithatë Ministria e Jashtme ka sqaruar se do të jetë Komisioni Evropian që do të shqyrtojë kërkesën dhe do t’i jap përgjigje Holandës, duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare.
“Jemi besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë.” thotë Ministria e Jashtme.