“KE fuqimisht dënon çdo thirrje për dhunë. Kërkesa e Holandës për vizat do shqyrtohet me kujdes”

AKTUALITET


Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç ka folur të hënën në një konferencë për shtyp në Bruksel në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri, ku edhe njëherë theksoi se Komisioni Europian dënon dhunën në protesta dhe se dialogu politik duhet të zhvillohet në parlament.

“Ne kemi ndjekur zhvillimet atje dhe kemi reaguar dhe kemi publikuar javën e kaluar progres-raportin. Kemi thënë në të kaluarën në shumë raste se ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar si e drejtë demokratike dhe esenciale, por KE fuqimisht dënon çdo thirrje për dhunë. Kjo është diçka që duhet respektuar në të gjitha rastet. Dhe së dyti ne mbështesim zhvillimin e dialogut në parlament. Më shumë detaje janë shkruar në progres raportin për Shqipërinë, të cilën e bëri publik komisionari Hahn javën e kaluar dhe tani është në dorën e Këshillit për të marrë hapa të mëtejshëm”, tha Koçijançiç.


Ndërsa zëdhënësja tjetër e BE-së dha informacion në lidhje me kërkesën e Holandës për vendosjen e regjimit të vizave për Shqipërinë. Ajo tha se KE ka marrë kërkesën e Holandës dhe se tani i duhet 1 muaj për të përgatitur një akt raport për të vënë në dijeni Këshillin dhe Parlamentin e Europës. Zëdhënësja tha se kërkesa e Holandës do të shqyrtohet me shumë kujdes dhe se ky nuk është një vendim që do të merret lehtë.

“Po, ne konfirmojmë se KE ka marrë kërkesën e Holandës. KE do të shqyrtojë me kujdes kërkesën bazuar në rregullat dhe procedurat e qarta. Hapi tjetër është që do të informohet Këshilli i Europës dhe Parlamenti. Sigurisht që vendimi për pezullimin e regjimit të vizave nuk është një vendim që do të merret lehtë, por do të shqyrtohet me shumë kujdes.

Bazuar në rregullat dhe procedurat Komisioni Europian duhet të hartojë  një akt informues brenda 1 muaji”, tha zëdhënësja.




Skip to toolbar